
Ish-drejtori i disa mediave në Kosovë aderon në PDK
Aderimet në subjektet politike pak ditë para se lista përfundimtare për deputetë të dorëzohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po vazhdon, shkruan gazeta “Blic”.
Kjo gazetë ka mësuar nga burimet e saj se Partisë Demokratike të Kosovës pritet t’i bashkohet Shpend Dobraja, që për një kohë të gjatë ka punuar në disa media si drejtor.
“Shpend Dobraja sot i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë një burim i gazetës.
Sipas këtij burimi, aderime të reja në këtë subjekt pritet të ketë edhe ditëve në vazhdim.
“Ky nuk është aderimi i fundit në PDK, ditëve në vazhdim prezantohen aderime të tjera”, ka shtuar ky burim i gazetës “Blic”.
Deri tani me aderime e prurje të reja prijnë: Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma për Kosovën, përderisa në Lidhjen Demokratike ende nuk është bërë publike ndonjë aderim i ri.
