
Policia shqiptare nuk pranon pjesëtarë të rinj që kanë tatuazhe
Policia e Shtetit të Shqipërisë tashmë ka një rregullore të re për mënyrën se si do të rekrutohen policët e rinj. Kush ka tatuazh në pjesët e dukshme të trupit nuk do të pranohet kurrë për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
Në bazë të ndryshimeve në rregulloren për policinë, janë shtuar edhe tre kushte të tjera skualifikuese. Ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin e evidentimit ë tatuazheve, moskalimi i kontrollit mjekësor dhe mungesa e besueshmërisë, shkruan “Shekulli”.
Aplikuesi përjashtohet kur nuk kalon testin fizik, me shkrim dhe psikologjik, deklaron të dhëna të rreme, rezulton i dënuar, është përdorues droge dhe nëse ka varësi nga alkooli. Rregulloja e ndryshuar parashikon gjithashtu për herë të parë që vetëm personat që kanë mbushur moshën 19 vjeç dhe janë nën 30 vjeç kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në kurset e Akademisë së Sigurisë për t’u rekrutuar në Policinë e Shtetit.
Evidentohet fakti se për aplikantët që hyjnë në kategorinë e fëmijëve të punonjësve të policisë që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, do të përcaktohen procedura lehtësuese për pranimin e tyre në Akademinë e Sigurisë.
Punonjëset shtatzëna të policisë dhe ato që kanë fëmijë deri në moshën 1 vjeç, nuk mund të urdhërohen të kryejnë shërbim natën. Punonjëset e policisë, në muajt e dukshëm të shtatzënisë, nuk do të mbajnë uniformë policore. Rregulloja e re ndalon sharjet gjatë dhe jashtë detyrës nga punonjësit e policisë, si ndaj kolegëve apo ashtu edhe ndaj qytetarëve.
