Infektuar: 54839
Shëruar: 48046
Vdekur: 1392
Policia nis hetimet për aplikacionin e rrejshëm për votim nga diaspora

Policia nis hetimet për aplikacionin e rrejshëm për votim nga diaspora

Aktuale January 14, 2021 - 17:59

Një aplikacion i pa miratuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) është duke qarkulluar në rrjete sociale, i cili u dedikohet diasporës për votim në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Për këtë reagoi edhe vetë KQZ-ja, e cila tha se ky aplikacion po grumbullon jashtëligjshëm të dhënat e qytetarëve nga jashtë Kosovës si dhe po grumbullon edhe donacione.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, se një aplikacion i tillë është i paautorizuar, në kundërshtim me ligjin dhe dëmton integritetin e procesit zgjedhor. KQZ njofton se të gjithë ata/ato që aplikojnë përmes këtij aplikacioni nuk janë duke paraqitur aplikimin e tyre në KQZ për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. KQZ njofton qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës dhe të cilët plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, që aplikimin e tyre ta bëjnë vetëm përmes mënyrës së përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke ndjekur hapat e publikuar në ueb faqen tonë zyrtare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se është i vetmi institucion që ka mandate kushtetues dhe ligjor për të organizuar dhe mbikëqyrur procesin zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas pranimit të informacioneve lidhur me publikimin e këtij aplikacioni, ka njoftuar organet kompetente për të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore”, u tha në reagimin e KQZ-së.

E në një prononcim për “Zërin”, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se rasti është denoncuar dhe se zyrtarët policorë kanë qenë në ambientet e KQZ-së për të marrë më shumë informacione.

“Rasti është denoncuar nga ne si institucion dhe është krejtësisht normale që zyrtarët policorë të vijnë për më shumë informacione”, ka bërë të ditur Elezi. /Zëri