Infektuar: 73048
Shëruar: 61986
Vdekur: 1649
Tiranë: Ambasadorja amerikane thirrje partive të mbajnë larg të korruptuarit nga kandidimi për deputetë

Tiranë: Ambasadorja amerikane thirrje partive të mbajnë larg të korruptuarit nga kandidimi për deputetë

Aktuale January 22, 2021 - 16:23

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, u bëri sot një tjetër thirrje partive politike për t’u angazhuar kundër korrupsionit, gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë.

Ajo citoi të nominuarin e Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, për Sekretar i Shtetit, Tony Blinken, në seancën e tij para Senatit disa ditë më parë: “Ne duam të lartësojmë punën në luftimin e korrupsionit”.

Ambasadorja Kim tha se paralajmërimi i njohur për masa ndaj zyrtarëve të korruptuar mbetet i vlefshëm, dhe ndërsa partitë përgatiten për zgjedhjet, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën flamurin e tyre.

Ajo kërkoi “të kontrollohen mirë kandidatët, që të mos promovohet korrupsioni, të mos fyhen votuesit dhe të mos minohet demokracia shqiptare”.

Disa ditë më parë ambasadorja amerikane, Kim, u takua me drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku nënvizoi “mbështetjen e SHBA për t’ju përgjigjur kërkesave të popullit shqiptar për politikë më të pastër, duke filluar me politikanë më të pastër”.

Ata ranë dakord që KQZ duhet të marrë të gjitha masat e mundshme, jo vetëm për ndjekjen penale të shkeljeve, por për të parandaluar shkeljet, përfshirë edhe blerjen dhe manipulimin e votave.

Ambasadorja Kim vuri në dukje dhe masat e marra nga Sekretari amerikan i Shtetit, ndaj disa ish zyrtarëve shqiptarë të dyshuar për korrupsion, të cilat, siç theksoi ajo, “janë ende në fuqi”.

Mesazhi i sotëm është pjesë e një përpjekje të vazhdueshme të diplomatëve amerikanë për dekriminalizimin e politikës shqiptare.

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, u kërkoi përmes një letre publike drejtuesve të partive politike disa muaj më parë, të marrin masa që kandidatët e tyre për deputetë të mos jenë subjekt i ligjit për dekriminalizimin.

Ajo nxiti të gjitha partitë politike “të verifikojnë kandidatët dhe të emërojnë vetëm ata që janë të kualifikuar dhe që respektojnë votuesit shqiptarë. Ndërsa individët janë përgjegjës për të bërë të njohur të kaluarën kriminale, udhëheqësit e partive duhet të sigurojnë integritetin dhe vërtetësinë e deklaratave të atyre që kërkojnë të zgjidhen nën siglën e tyre”, - ka theksuar ajo.

Udhëheqësit politikë shqiptarë, shtoi ambasadorja Kim, “mund të luajnë një rol në këto përpjekje, duke mbajtur jashtë listës së partive njerëz që njihen si të korruptuar”.

Ambasadorja amerikane kujtoi se për shkak të ligjit të dekriminalizimit disa deputetë apo kryetarë bashkisë u larguan, dhanë dorëheqjen apo janë nën hetim.

Në zgjedhjet vendore të vitit të shkuar, disa nga të zgjedhurit e Partisë Socialiste, fshehën të kaluarën e tyre.

“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në luftën kundër korrupsionit dhe qëndrojnë në krah të secilit që kërkon të ndalojë zyrtarët e korruptuar të veprojnë në mënyrë të paligjshme dhe pa u ndëshkuar”, - shkroi ambasadorja amerikane, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të drejtën e tyre për t’i ndaluar hyrjen në territorin amerikan zyrtarëve të korruptuar.

Një masë e tillë është marrë deri tani ndaj deputetit Tom Doshi, ish kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe ish kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ndërsa mbi 170 zyrtarëve të tjerë iu është refuzuar viza.

Aktualisht partitë politike kanë nisur përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Procesi është i hapur në vazhdim e sipër dhe forcat politike po bëjnë pak publikime mbi emrat e mundshëm, dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre janë të sigurtë për shkak të posteve të larta që mbajnë në parti./VOA