Nga sot, të burgosurve u lejohen pushimet në vikende

Nga sot, të burgosurve u lejohen pushimet në vikende

Aktuale January 25, 2021 - 15:43

Nga sot lejohen vikendet për të burgosurit në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Përmes një komunikate për medie, SHKK-ja ka njoftuar se ka bërë këtë masë lehtësuese për të dënuarit që i plotësojnë kushtet.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinioni publik se nga data 25 janar 2021 do të fillojë lejimin e vikendeve për të dënuarit. Si masë lehtësuese do të vazhdohet lejimi i vikendeve për të dënuarit, të cilët i plotësojnë kushtet. Në pushim jashtë institucionit, në të njëjtën kohë, fillimisht do të lejohet një numër i kufizuar i të dënuarve”, thuhet në komunikatën për medie.

Theksohet se pas kthimit nga pushimi të gjithë të burgosurit do t`i nënshtrohen fazës së karantinimit në periudhë kohore prej së paku shtatë ditësh.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës ka filluar lehtësimin e masave në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve dhe do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës, ku do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim”, thuhet në komunikatën e SHKK-së. /Zëri