Çejku: Nuk është normale të bllokohet lideri i opozitës që të marrë pjesë në zgjedhje

Çejku: Nuk është normale të bllokohet lideri i opozitës që të marrë pjesë në zgjedhje

Aktuale January 25, 2021 - 23:04

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, i ftuar në “Absolut 4”, e konsideroi jonormale faktin që “të bllokohet lideri i opozitës të marrë pjesë në zgjedhje”, duke iu referuar ngërçit të krijuar në Kosovë me kandidimin e Albin Kurtit.

“Për të përjashtuar një kandidat nga lista, nuk mendoj se është e dobishme në asnjë aspekt. Kjo mund të shërbejë edhe si precedent negativ. Në një farë mënyre, po i bëjnë nder Albin Kurtit, duke i rritur mbështetjen që ka. Mendoj që këto zgjedhje në Kosovë duhet të shërbejnë për të dalë nga ngërçi dhe jo të jenë zgjedhje pa zgjidhje”, u shpreh Çejku.

Ish-ambasadori shtoi se “fakti që zonja Daka kërkoi më shumë informacione nga institucionet e tjera, do të thotë që nuk kërkon ta mbajë e vetme “pataten e nxehtë”. Ajo kërkon mbështetjen e tyre për të kaluar këtë ngërç, sepse është një rast që nuk sjell fitim për askënd. Lëvizja Vetëvendosje, për mendimin tim, nuk dëmtohet. Pengesa të tilla, edhe në vende të tjera, nuk e kanë penguar vullnetin e popullit për një forcë të caktuar”.

Ndërsa përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Tiranë, Kleidi Këlliçi, nënvizoi se “Gjykata Kushtetuese duhet të jetë neutrale”.

“Nëse humbet neutralitetin, ajo e humb logjikën e operimit të saj. Kosova është një shtet në formim e sipër. KQZ-në e kemi lavdëruar deri tani, problemi është që kur KQZ propozohet të zëvendësojë institucionet, ka dalë jashtë funksionit të vet. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të konsoliduara, por nuk duhet të tejkalojnë natyrën e tyre”, tha Këlliçi.

Kur u pyet nëse Albin Kurti mund të tërhiqet nga lista, Këlliçi u përgjigj: “Lëvizja do të ndjekë të gjitha hapat ligjore për të zgjidhur këtë situatë të panevojshme. Pa u ezauruar hapat ligjore, nuk do të ketë vendimmarrje”.