Kërkohet të mos ketë shtyrje të testit të arritshmërisë dhe maturës, nisin përgatitjet

Kërkohet të mos ketë shtyrje të testit të arritshmërisë dhe maturës, nisin përgatitjet

Aktuale March 04, 2021 - 21:47

Për dallim nga viti i kaluar, kur testi i arritshmërisë u anulua derisa ai i maturës u shty dy herë për shkak të situatës me pandeminë, këtë vit po planifikohet të mbahen që të dyja.

Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kanë bërë të ditur se pas disa takimeve me drejtoritë komunale kanë ardhur në përfundim se testi i arritshmërisë do të mbahet më 21 maj, porse deri atëherë do ta përcjellin situatën me pandeminë.

“MASH-i, varësisht prej zhvillimeve me pandeminë, do ta shqyrtojë në vazhdimësi këtë çështje. Përpos planit të rregullt për zhvillimin e aktiviteteve për përgatitjen e instrumenteve, MASH-i ka edhe praktikën e mbajtjes së suksesshme të testit të maturës 2020 për respektimin e masave anti-COVID”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, testi i maturës është planifikuar të mbahet më 12 dhe 19 qershor, me ç’rast në çdo klasë do të lejohen vetëm nga 12 nxënës.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka kërkuar që Ministria t’i bëjë përgatitjet me kohë në mënyrë që të mos ketë shtyrje ose anulim të asnjërit test, siç kishte ndodhur vitin e kaluar. Ai thekson se mbajtja e tyre është shumë e rëndësishme.

“Shtyrja dhe anulimi i testit të maturës dhe atij të arritshmërisë në vitin e kaluar ka pasur një arsye të pandemisë dhe të pazakonshmes që ka ardhur si rezultat i pandemisë, mirëpo është e papranueshme të neglizhohet si proces në këtë vit shkollor, e veçanërisht kur dihet impakti që këto dy teste kanë në proces të regjistrimit të nxënësve në shkollimin e mesëm dhe atë universitar”, thotë ai.

Në mungesë të testit të arritshmërisë, vitin e kaluar nxënësit e klasave të 9-ta u regjistruan në shkolla të mesme vetëm në bazë të suksesit.

Ndërkaq, shtyrja e testit të maturës pati ndikuar që edhe viti akademik 2020/2021 të mos niste me kohë.

Sipas të dhënave zyrtare të MASH-it, këtë vit testit të arritshmërisë duhet t’i nënshtrohen 25. 670 nxënës, kurse atij të maturës 25.100 maturantë të këtij viti dhe rreth 2.000 të viteve të kaluara./EO