U akuzua se bleu vota për bashkëshorten, reagon Dardan Stublla
Foto: Facebook

U akuzua se bleu vota për bashkëshorten, reagon Dardan Stublla

Aktuale March 07, 2021 - 11:50

Pas akuzave të kandidates për deputete nga radhët e AAK-së, Florentina Gjergjaj, e më pas edhe të kandidates tjetër të kësaj partie Albana Bytyqi, për vjedhje votash nga ana e kryediplomates kosovare në detyrë, Meliza Haradinaj-Stublla, në publik u shfaq një video-incizim ku pretendohet se akuzat kanë bazë ligjore.

Në këtë video-incizim, të publikuar dje nga “Insajderi”, pretendohet se bashkëshorti i Meliza Haradinaj-Stubllës është përfshirë në një skandal të madh të manipulimit të votave brenda partisë.

Sipas kësaj videoje, pretendohet se afaristi Dardan Stublla, bashkëshorti i Meliza Haradinaj Stubllës, ka blerë me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ia kanë regjistruar ato kandidates me numër 12 (Meliza Haradinaj-Stublla) në zgjedhjet e 14 shkurtit, raporton Zeri.info.

I infiltruari në grup, i cili e ka incizuar bisedën, dëgjohet teksa ofron para, sipas “Insajderit”, “rrejshëm”, madje shumë më shumë sesa pretendohet të ketë ofruar Stublla, për të zbuluar të vërtetën.

Dhe kjo e vërtetë hedh dyshime të mëdha se si ministrja e Jashtme dhe e Diasporës bëhet deputete pa i pasur votat e mjaftueshme.

Ndaj akuzave të para të Gjergjajt, reagoi vetë Haradinaj-Stublla, duke thënë se do ta padis të njëjtën.

“Për shpifjet dhe fyerjet kundër meje të cilat po qarkullojnë në disa portale, kandidatja në fjalë do të përgjigjet në gjykatë. Disa herë kam garuar në të kaluarën, dhe pavarësisht rezultatit, gjithmonë kam respektuar vullnetin qytetar”, shkroi ajo pas akuzave të bëra ndaj saj.

Mirëpo, i heshtur qëndroi deri në këto momente bashkëshorti i Haradinaj-Stubllës, Dardani. Para pak minutash, përmes një postimi në Facebook, Dardan Stublla, mohoi blerjen e votave për gruan e tij derisa theksoi se rastin e ka denoncuar edhe në polici.

“Pas shqetësimeve tronditëse që pësuam mbrëmë si familje, e ndjej obligim t’i drejtohem opinionit publik, se NUK JAM UNË pjesë siç po pretendohet në video-fabrikimin e publikuar, për kinse ‘vjedhje/blerje të votave në Qendrën për Numërimin e Votave (QNR)”, thotë ai me anë të këtij reagimi, transmeton Zeri.info.

Sipas tij, “kjo video është komplet e inskenuar nga grupet kriminale që funksionojnë në shërbim të interesave të ngushta e personale, që kanë prapa persona të caktuar në përkrahje ‘të sapo aderuarve’ në listën për deputetë në AAK, të cilët mendojnë se betejat politike fitohen përmes inskenimeve, shantazheve dhe përmes publikimeve të tyre në pseudo-portale!”.

Stublla thotë se këto “grupe kriminale”, i bëjnë presion institucioneve e më pas shantazhojnë përmes Kuvendit.

“Këto grupe kriminale, si pjesë e parapolitikës së ndyrë, janë bërë bashkë në këtë fushatë të paprecedent, për të shtyer përpara interesat klanore e grupore të tyre, që tentojnë të përfitojnë pa zgjedhur mjete, e duke e sulmuar në integritet një familje të tërë vetëm e vetëm për të bërë presion në institucione, që pastaj këtë që e bëjnë më së miri, pra të shantazhojnë edhe përmes Kuvendit të Kosovës”, shkruan tutje ai.

Derisa thotë se beson dhe shpreson që Prokuroria e Shtetit shpejtë do të zbardhë të vërtetën “e t’i zbulojë ndytësirat që dëshirojnë të njollosin emrin tim dhe të familjes sime”.

“...por më lejoni të tërheqë vëmendjen tuaj në disa nga gënjeshtrat dhe fabrikimet e ulëta që janë përdorë në këtë video:

Së pari, unë nuk jam pjesëmarrës e as i implikuar siç pretendohet në këtë video dhe lakimi i emrit tim është i qëllimshëm për arritjen e interesave të ngushta të grupit kriminal, përkatësisht për favorizimin e njerëzve të caktuar duke njollosë të tjerët;

I ashtuquajturi “komisioner” i cili në video-inskenim pretendon se ka pranuar nga unë para dhe citoj “kryjta punë”, kur pyetet se ku u takua me mua, ai përmend “në lokalin Infinit afër selisë së AAK-së” i cili nuk ekziston tash e më shumë se një vit.

Tutje, i ashtuquajturi “komisioner” pretendon se në baza ditore ka komunikuar me mua për të më informuar rreth gjendjes për të cilën ai pretendon se më ndihmonte andaj, kërkoj nga Prokuroria të vërtetojë formën dhe përmbajtjen e komunikimeve e pretenduara në mes nesh.

Fabrikimi i radhës nga ky grup kriminal është se unë kontrolloj të gjithë komisionerët e dërguar nga AAK në QNR, por e vërteta është krejt ndryshe sepse, partitë politike në QNR nuk delegojnë komisionerë, por ata rekrutohen nga vetë QNR/KQZ, dhe ky fakt është edhe një shenjë e inskenimit të dobët të tyre.

Siç vërehet qartë edhe në shumë kundërthënie e gënjeshtra tjera të pafundme në atë video, kuptohet pa mëdyshje se banda kriminale që është angazhuar në fabrikimin e saj nuk zgjedh mjet për të arritur qëllimet e veta, për të përkrahur individë të caktuar, të cilët nëpërmes pseudo-portaleve dhe parave të dyshimta, shantazhojnë dhe kërcënojnë këdo që u del përpara”.

“Andaj, para këtyre rrethanave përmes kësaj deklarate u bëj thirrje organeve të drejtësisë dhe kryeprokurorit të Prishtinës Z. Kujtim Munishit, emri i të cilit u përfol po ashtu në këtë fabrikim, që sa më parë të zbardhin të vërtetën lidhur me këtë video të inskenuar nga grupi kriminal. Puna, përkushtimi dhe sukseset e familjes po tentohet qëllimshëm e pamëshirshëm të rrënohen nga keqbërësit. Por, nuk do t’ia dalin. E vërteta do të fitoj gënjeshtrën, faktet do t’i demantojnë intrigat e shantazhet, e inskenimeve të ulëta do t’u jap epilog drejtësia. Krejt në fund, dua të konfirmoj edhe një herë me përgjegjësi të plotë morale e ligjore, se UNË NUK JAM dhe NUK KAM QENË asnjëherë i involvuar në biseda dhe tavolina të tilla siç po pretendohet”, thekson Stublla.

“Në këtë frymë, konfirmoj për opinionin publik, se pas publikimit të kësaj videoje të inskenuar nga bandat kriminale të parapolitikës, mbrëmë kam denoncuar në Policinë e Republikës së Kosovës shantazhin, dhe pres zbardhjen e rastit sa më parë. Poashtu, padia për shpifje e paralajmëruar ditë më parë nga bashkëshortja ime për kinse ‘ushtrimin e ndikimit të saj si Ministre në QNR’ – do të parashtrohet në gjykatë shumë shpejtë”, përfundoi afaristi Dardan Stublla, bashkëshort i ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla.

Ndërkaq, pretendimin për përfshirjen e Dardan Stubllës në manipulimin e rezultateve të kandidatëve të Aleancës për deputetë, e ka zbuluar një video-incizim i Arbër Krasniqit, një komisioneri në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR).

Përgjimi ekskluziv, të cilin e ka siguruar “Insajderi”, pretendon se nxjerr në pah dëshminë e komisionerit Krasniqi që thotë se është paguar nga Dardan Stublla. Thotë se paratë i kishte pranuar me një qëllim të vetëm: manipulimin e votave në favor të kryediplomates në largim.

Pasi i prezantohet me identitet të rremë personit të dëmtuar nga manipulimi i votave, Arbër Krasniqi thotë se edhe komisionerët e tjerë të partisë i binden atij. Pranon se ka manipuluar qindra vota në favor të Haradinaj-Stubllës në këmbim të 6,000.00 eurove që i kishte premtuar bashkëshorti i saj.

“Puna është që unë me ta u pata marrë vesh për 600 vota, 6,000 euro. Unë aty jam vet i treti. Unë si numërues aty, edhe nja dy i kena mrena aty. IT janë ata, me kompjuter në sistem”, thotë Arbër Krasniqi, i prezantuar si Arigon Beka, 24-vjeç, nga Podujeva.

Krasniqi thotë se Stublla s’i doli “njeri i fjalës”.

Para se të konfirmojë se është takuar me bashkëshortin e Haradinaj-Stubllës në një restorant afër selisë së AAK-së në Prishtinë, thotë se Dardan Stublla i ka borxh 2,000.00 euro.

“Këta u patën marr vesh qysh të kallëzova, 600 vota – 6,000 euro. 4,000 mijë i kanë jep, 2,000 janë mbet borxh. Kanë bo fjalë për qito 2,000 në fund”, shprehet Krasniqi, komisioner i AAK-së.

“Tash, për qato dy mijë euro, u nal. Dështuam qaty. Qaty dështuam. Bash qysh po thu ti: ‘Jo i pari, jo pse, kur, tek?’”, deklaron ai për mosmarrëveshjet e pretenduara me Stubllën. /Zëri/