Kurti vazhdon të merret me fushatën në Shqipëri

Kurti vazhdon të merret me fushatën në Shqipëri

Aktuale April 11, 2021 - 19:44

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar edhe sot të merret me fushatën zgjedhore në Shqipëri, duke promovuar tre kandidatët e LVV-së për deputetë Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani.

Kurti bashkë me kandidatët për deputetë, ka mbajtur mbrëmë një takim virtual me komunitetin shqiptar në Itali, i cili siç ka thënë ai, këtë vit shënon 30-vjetorin e eksodit të madh prej Shqipërisë, drejt brigjeve të Pulias në Itali.

“Komuniteti shqiptar në Itali, i cili është bukur i madh e i integruar, përkujton këtë vit 30 vjetorin e eksodit të madh prej Shqipërisë, drejt brigjeve të Pulias në Itali. Kjo përkon me fillimin e tranzicionit shqiptar i cili tashmë është bërë sistemik dhe duhet të kryhet. Por forcat e politikat që përfitojnë nga tranzicioni, nuk mund ta përfundojnë atë. Në këto tri dekada diaspora ka kontribuar aktivisht dhe masivisht në ekonominë e vendeve tona, madje ajo e ka ruajtur paqen sociale gjatë krizave ekonomike të vendeve tona, e megjithatë nuk ka pasur vëmendjen e merituar nga institucionet”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri më tej shkruan se shqiptarët në Itali janë një faktor përcaktues për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Italisë.

“Si Qeveri e Kosovës bashkë me LVV në Kosovë dhe Shqipëri, angazhohemi së bashku që mërgata ta ketë përkrahjen që meriton, për të rritur edhe më tej kontributin e saj jetik për zhvillimin e kombit tonë. Për këtë arsye bashkë me Boikenin, Iliazin dhe Kreshnikun zhvilluam këtë takim për t’u njohur më mirë me nevojat e komunitetit tonë në Itali i cili përbëhet prej më shumë se gjysmë milioni personash.Shqiptarët e Italisë pretendojnë me të drejtë një rol më aktiv në politikëbërje”, tha ai.

Në këtë takim është disktuar edhe mbi nevojën e hartimit të strategjive të përbashkëta mbi parandalimin e ikjes së të rinjve, thithjes së kapitalit human, njohjen e kontributeve shoqërore, vlerësimit të trashëgimisë kulturore në funksion të rritjes ekonomike si dhe rolit të arsimimit dhe gruas në shoqëri.

“Ky qe një hap i rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës, që dëshmon se si vullneti ndryshon rrethanat e që na sheh edhe njëherë të bashkuar përtej kufijve të imponuar. Me qeverinë e re në Prishtinë e me ngritjen e Lëvizjes në Shqipëri, këso takimesh do të shndërrohen në praktika të zakonshme për të afruar dhe mobilizuar edhe më tej bashkëkombasit tanë jashtë vendlindjes”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kujtojmë se ditëve të fundit, Kurti është kritikuar për faktin se është marrë më shumë me situatën zgjedhore në Shqipëri, duke lënë anash situatën në Kosovë. /Zëri