Kurti takon “ambasadoren” greke në Kosovë, ia kërkon njohjen

Kurti takon “ambasadoren” greke në Kosovë, ia kërkon njohjen

Aktuale April 15, 2021 - 16:31

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Kosovë, Chryssoula Aliferi, e cila e uroi për fitoren në zgjedhje dhe për, siç thuhet, “stabilitetin që kjo fitore ka sjellë në vend”.

Ajo i solli Kurtit një letër falënderimi të kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, për urimin që Kurti i ka bërë atij me rastin e 200- vjetorit të revolucionit grek.

Gjatë këtij takimi, Kurti i vlerësoi lart marrëdhëniet me Greqinë dhe angazhimin e saj për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç ishte rasti me anëtarësimin në BERZH.

Kurti po ashtu kërkoi që të zgjerohet dhe të thellohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral dhe që Greqia t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën.

Ndërsa, Aliferi e informoi Kurtin për ftesën që Greqia i ka bërë ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla për të vizituar Greqinë.

Duke folur për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë potencoi faktin se javën që vjen virtualisht do të mbahet forumi i tretë ekonomik mes Greqisë dhe Kosovës. /Zëri