Vitia ndër komunat përftuese të fondeve amerikane për Riparimet në Ndërtesat Banesore

Vitia ndër komunat përftuese të fondeve amerikane për Riparimet në Ndërtesat Banesore

Aktuale April 15, 2021 - 17:06

Vitia është komuna e radhës që do të përftojë mbështetje financiare për riparimet e ndërtesave banesore me qëllim të përmirësimit të masave për efiçiencë të energjisë në sektorin rezidencial, përmes Programit “Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë-SEEK” të Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK).

Me këtë rast, MFK-ja e përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv, Petrit Selimi, dhe komuna e Vitisë, përfaqësuar nga Kryetari Sokol Haliti, nënshkruan sot një Memorandum Mirëkuptimi me qëllim të formalizimit të bashkëpunimit për implementimin e projektit për Riparimet për Efiçiencë të Energjisë në Ndërtesa Banesore (AER) në këtë komunë.

Ky Memorandum mirëkuptimi konfirmon përkushtimin e MFK-së dhe komunës së Vitisë për të shtuar përpjekjet drejt përmirësimit të masave për efiçiencë të energjisë, duke strukturuar dhe forcuar strukturat organizative për masat efiçiente dhe reduktimin e energjisë elektrike në sektorin e banimit, përmes ofrimit të asistencës teknike dhe mbështjetjes financiare për të bërë shtëpitë në këtë komunë më efiçiente.

Në kuadër të Intervenimit SEEK, MFK-ja do të investojë mbi 20 milion euro në riparimin e rreth 700 banesave në 7 komuna, si dhe 2800 shtëpive në tërë Kosovën, kështu duke investuar në promovimin e masave të eficiencës së energjisë, zvogëluar konsumin e energjisë për ngrohje, si dhe duke ngritur vetëdijen e konsumatorëve për benefitet afatgjate të masave të eficiencës së energjisë.

Me këtë rast, drejtori ekzekutiv, Petrit Selimi deklaroi se aktivitetet që përmirësojnë eficiencën e energjisë në sektorin e banimit në Kosovë kanë ndikim direkt në përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve dhe gjithashtu ndihmon institucionet e Kosovës të krijojnë një mekanizëm afatgjatë për zvogëlimin e konsumit të energjisë në shtëpitë kosovare.

Ndërsa, drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmsread theksoi se MCC-ja mezi pret që të punimet të fillojnë sa më shpejt.

“MCC është e lumtur që kjo marrëveshje po nënshkruhet sot, që nënkupton zyrtarizimin e një bashkëpunimi të mrekullueshëm me komunën e Vitisë. Mezi presim të fillojnë punimet së shpejti për të përmirësuar rehatinë dhe eficiencën e banesave në Viti” - u shpreh Olmstead, bëhet e ditur në njoftimin për media.

Kurse, kryetari Sokol Haliti shprehi mirënjohjen ndaj MFK-se dhe MCC-së për këtë investim duke thënë se këto investime kanë një ndikim të madh në ekonomitë familjare, respektivisht në zhvillimin e vetëdijes qytetare për kursim të energjisë dhe në zvoglimin e ndotjes së ambientit.

Në njoftimin për media thuhet se në kuadër të këtij projekti, MFK-ja deri tani ka lidhur memorandume mirëkuptimi me katër komuna të tjera të cilat janë Prishtina, Lipjani, Mitrovica dhe Novo Bërda.

Në kuadër të këtij projekt janë gjithsej shtatë komuna që janë përzgjedhur nga Banka Botërore, përfshirë këtu dhe Gjakovën dhe Gracanicën, për të përftuar investime nga ky projekt. /Zëri