Fajon: Zgjidhja për Ballkanin nuk është rivendosja e kufijve, por perspektiva evropiane

Fajon: Zgjidhja për Ballkanin nuk është rivendosja e kufijve, por perspektiva evropiane

Aktuale April 15, 2021 - 18:20

Në konferencën e sotme për shtyp, eurodeputetja dhe kryetarja e Socialdemokratëve, Tanja Fajon, theksoi se vetëm perspektiva e qartë evropiane është rruga përpara për Ballkanin Perëndimor, dhe jo rivendosja e kufijve.

“Në kohët e sotme, kur do duhej të promovonim ndihmën reciproke dhe bashkëpunimin, disa liderë evropianë më tepër dëshirojnë të përhapin ide të rrezikshme dhe tendenca nacionaliste duke shkaktuar shqetësim dhe paqëndrueshmëri”, deklaroi Tanja Fajon.

"Për mbi 10 vjet si politikane unë kam qenë gjithmonë një mbështetëse e fortë e zgjerimit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Jam e bindur se vetëm perspektiva evropiane mund të adresojë sfidat me të cilat rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet për një bashkëjetesë paqësore, për bashkëpunim të rinovuar dhe për forcim të lidhjeve midis vendeve. Njerëzit e rajonit meritojnë siguri, përparim dhe stabilitet në të gjitha nivelet", tha Fajon, e cila sheh një mundësi të madhe për Slloveninë si një vend partner rajonal dhe ndërkombëtar.

"Zgjerimi dhe integrimi duhet të jenë qëllimi ynë strategjik veçanërisht gjatë presidencës së ardhshme sllovene të Këshillit të BE-së", shtoi Fajon.

Eurodeputetja sllovene tha se ideja e vendosjes dhe lëvizjes së kufijve midis vendeve, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë - vend që ka vuajtur më së shumti - është një ide jashtëzakonisht e rrezikshme.

“Kurrë nuk duhet të përsërisim eksperimente të tmerrshme të së kaluarës, por përkundrazi të mendojmë për zgjidhje që do ta bëjnë Bosnjën dhe Hercegovinën një vend me funksionim më të mirë", tha Tanja Fajon

"Procesi bazohet në vullnet të ndërsjellë. Meqenëse BE-ja nuk po përmbush premtimet e saj, mosbesimi rritet në Ballkan. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të fillojnë urgjentisht. Të dy vendet kanë plotësuar kushtet dhe nuk duhet të bëhen pengje të interesave të pjesshme. Sllovenia mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm si ndërmjetës gjatë presidencës së saj".

Në përgjigjen e saj për gazetarët në lidhje me përfshirjen e Sllovenisë në dokumentin e diskutueshëm "non-paper", Tanja Fajon tha se "reputacioni i Sllovenisë po përkeqësohet me shpejtësi".

“I bëj thirrje Kryeministrit të sqarojë pozicionin e tij për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Bosnjë dhe Hercegovinë. Nuk jam e njohur me dokumentin zyrtar, nuk e kam parë, por besoj se idetë përçarëse, nacionaliste po qarkullojnë dhe nuk do të habitesha nëse disa prej tyre vijnë edhe nga Sllovenia”.

Eurodeputetja gjithashtu ftoi Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, t'i jepte një shpjegim publik Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë dhe publikut të gjerë në lidhje me pozicionin e vendit në Ballkanin Perëndimor.

"Ne kemi nevojë për një diskutim të sinqertë dhe të hapur për të sqaruar situatën", deklaroi ajo.

Në lidhje me akuzat nëse harta që qarkullon në internet ishte "rrjedhur" në publik nga Socialdemokratët, Tanja Fajon u përgjigj se kjo është një gënjeshtër absolute dhe jashtëzakonisht e papërgjegjshme.

Ajo shtoi se ka një bashkëpunim të mirë me Bosnjë dhe Hercegovinën dhe ndau mendimin e saj në lidhje me nevojën e azhurnimit të Marrëveshjes së Dejtonit, në vend që të shkaktojë ndonjë tension tjetër në vend.

Sa i përket sulmeve nga presidenti serb Vuçiq dhe "gënjeshtrave që ai po përhap për 'vilën e vjedhur'", ajo tha se mund të vijë si rezultat i rolit të saj aktiv të profilit të lartë në Parlamentin Evropian.

"Unë i kuptoj këto deklarata si përpjekje për diskreditim politik. Sidoqoftë, unë nuk e përjashtoj idenë që Presidenti i Serbisë, me të cilin shpresoj të takohem së shpejti, po merr ndonjë ndihmë nga Sllovenia".

Ditëbe të fundit, nga mediat sllovene ka qarkulluar një dokument jozyrtar që thuhet se kryeministri Jansha ua ka dërguar zyrtarëve të caktuar të BE-së.

Në atë dokument, Jansha ka folur për përmbylljen e ndarjes së ish-Jugosllavisë.

Aty parashihen edhe kufijtë e Kosovës, ku theksohet se komunat me shumicë serbe do të fitojnë njëfarë statusi sikurse Tiroli i Jugut, që është një provincë autonome në Italinë Veriore, ku shumica e popullsisë është gjermanishtfolëse, kurse Kosova do të bashkohej me Shqipërinë. /Zëri/