Hezitimi i mjekëve të Kosovës për t'u vaksinuar ngadalëson procesin e imunizimit
Foto ilustruese

Hezitimi i mjekëve të Kosovës për t'u vaksinuar ngadalëson procesin e imunizimit

Aktuale April 15, 2021 - 18:26

Kosova të enjten shënoi 17 vdekje të reja nga koronavirusi në 24 orët e fundit, kurse ekspertët shëndetësorë shprehin pakënaqësi lidhur me ritmin e imunizimit të popullatës. Ata madje thonë se me shpejtësinë aktuale të imunizimit, Kosovës do të duhen tri deri katër vjet që të imunizojë gjithë popullatën.

Për 16 ditë nga fillimi i imunizimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë arritur të vaksinojnë vetëm 12,000 persona. Prioritet në imunizim u është dhënë punonjësve shëndetësorë, të moshuarve dhe atyre me sëmundje kronike. Ky imunizim po bëhet me vaksinën e AstraZenecas, ku Kosova, në fund të marsit pranoi 24,000 doza të kësaj vaksine. Aktualisht imunizimi është duke u bërë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë si dhe në qendrat e mjekësisë familjare në disa komuna.

“Në mënyrë që vaksinimi të ketë ndikim në ecurinë e pandemisë është e nevojshme që një numër i madh i qytetarëve të vaksinohet brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. Dhe kur them një numër i madh, mendoj në deri gjysmë milion njerëz të vaksinohen për më pak se tre muaj”, thotë infektologu Ilir Tolaj.

Bardhi: Ky proces ka mundur të kryhet brenda disa ditëve

Me procesin e ngadaltë të vaksinimit pajtohet edhe vetë koordinatori për vaksinim në sallën '1 Tetori', Niman Bardhi.

“Ne jemi deklaruar që kemi kapacitete. Vetëm në qendrën ‘1 Tetori’ nga 750 deri në 1,000 persona mund të vaksinohen në ditë, shto pastaj edhe qendrat tjera që kanë qenë të përfshira në këtë proces. Kjo punë ka mundur të kryhet për 4-5 ditë. Ne ishim në dispozicion nga ora 08:00 deri në ora 19:30. Por, nuk e di si rrodhi kjo që të mos ta kemi të përmbyllur më shpejtë këtë proces sesa që jemi në kohën aktuale”, thotë Bardhi.

Ai shton se kapacitetet në sallën ‘1 Tetori’ mundësojnë vaksinimin brenda ditë të 2,000 personave.

Ndërkaq, kritikat se vaksinimi po ecë ngadalë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nuk qëndrojnë.

Në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, nga kjo ministri thonë se kapacitetet për imunizim janë te mjaftueshme dhe mund të shtohen. Por, sipas tyre, meqë në dispozicion për fillim janë vetëm 24,000 doza, administrimi ka shkuar më me kujdes.

“Me që ka pak doza në dispozicion, u është dhënë grupeve prioritare mundësia që të vaksinohen, por nga dita e nesërme kur fillon vaksinimi i grupmoshës 75-79 vjeç, dozat do të administrohen që të gjitha dhe shumë shpejt”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Të plotë mund ta lexoni: KËTU