BE-ja reagon ndaj dokumentit për ndryshim të kufijve në Ballkan

BE-ja reagon ndaj dokumentit për ndryshim të kufijve në Ballkan

Aktuale April 15, 2021 - 21:35

Publikimi i një dokumenti “non-paper” nga mediat sllovene gjatë ditës së sotme, e i cili ka disa ditë që po përflitet në mediat e Ballkanit Perëndimor, ku pretendohet se kryeministri slloven, Janez Jansha, këtë dokument i ka dërguar disa zyrtarëve të caktuar të institucioneve të BE-së, dokument në të cilin flitet për ndryshim të kufijve të shteteve të BP-së, ka bërë që të reagojnë zyrtarët e BE-së në Bosnje e Hercegovinë.

Përmes një deklarate të përbashkët të Delegacionit të BE-së, Krerëve të Misionit të BE-së në BeH dhe të Komandantit të EUFOR-it, hedhet poshtë ideja e ndryshimit të kufijve të këtij vendi.

Në këtë deklaratë thuhet se BE-ja është e përkushtuar ndaj sovranitetit. Unitetit dhe integritetit territorial të Bosnje e Hercegovinës.

“Kjo është përsëritur shumë herë dhe ky është qëndrimi ynë i fuqishëm i pandryshueshëm. BE-ja dhe Shtetet e saj Anëtare mbështesin plotësisht dhe fuqishëm perspektivën e BE-së për Bosnje e Hercegovinën. Bosnja dhe Hercegovina duhet të shfrytëzojë vitin 2021 si vit jo-zgjedhor për të përshpejtuar me reformat e identifikuara në 14 prioritetet kyçe të Komisionit Evropian në mënyrë që të avancojë në rrugën drejt BE-së. Do të vazhdojmë t’i mbështesim këto përpjekje”, u tha në deklaratën e përbashkët të Delegacionit të BE-së, Krerëve të Misionit të BE-së në BeH dhe të Komandantit të EUFOR-it, raporton Zeri.info.

Në dokumentin e publikuar gjatë ditës së sotme nga mediumi slloven, “Necenzurirano”, u pa se pjesë e idesë së pretenduar të Janshës është edhe kufiri i Kosovës. Aty thuhet se pjesa veriore e Kosovës, ndonëse nuk përmendet tekstualisht por vetëm si “pjesa serbe e Kosovës”, do të fitojë njëfarë statusi special sikurse të Tirolit Jugor të Italisë. Ndërsa Kosova do t’i bashkëngjitet Shqipërisë.

Po ashtu, edhe një pjesë e Republikës Serbe të BeH-së thuhet se do t’i bashkohet Serbisë, dhe kështu edhe Serbia do të pajtohej me një “Shqipëri të madhe”. /Zëri