Pjetër Shala transferohet nga Belgjika në Hagë bazuar në aktakuzën e konfirmuar nga Specialja

Pjetër Shala transferohet nga Belgjika në Hagë bazuar në aktakuzën e konfirmuar nga Specialja

Aktuale April 15, 2021 - 22:09

Më 16 mars të këtij viti, autoritetet e Belgjikës në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), arrestuan ish-ushtarin e UÇK-së, Pjetër Shala në Belgjikë.

I arrestuari, deri më sot qëndroi në duart e autoriteteve belge, ndërsa nga Dhomat e Specializuara sot erdhi njoftimi se Shala u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.

“Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nikola Giju e konfirmoi aktakuzën kundër z. Shala më 12 qershor 2020. Aktakuza e konfirmuar e redaktuar tashmë është bërë publike në pajtim me rregullën 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave. Për arsye sigurie, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime”, thuhet në njoftimin e Speciales, transmeton Zeri.info.

Tutje theksohet se në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me "përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt".

"Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", theksohet në komunikatën e DHSK-së.

Potencohet se së shpejti do të jepet informacion mbi datën dhe orën e paraqitjes së parë të Shalës para Gjykatësit të Procedurës Paraprake.

Paraqitja e parë mbahet në seancë publike dhe mund të përcillet përmes faqes së DHSK-së në Internet. /Zëri/