Pjetër Shala paraqitet për herë të parë në seancë publike më 19 prill

Pjetër Shala paraqitet për herë të parë në seancë publike më 19 prill

Aktuale April 15, 2021 - 23:04

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se me 19 prill në orën 15:00, në sallën e gjyqit të do të mbahet paraqitja e parë e Pjetër Shalës.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Zeri.info

“Paraqitja e parë e zotit Shala do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake siguron respektimin e të drejtave të të akuzuarit, përfshirë të drejtën për përfaqësim ligjor dhe se i akuzuari i kupton akuzat kundër tij ose saj.Seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjithashtu, në ndërtesën e DHSK-ja është një qendër e posaçme për median në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër. Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së virusit Kovid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për mediat do të jetë shumë i kufizuar dhe është i nevojshëm regjistrimi paraprak”, thuhet në njoftimin e Speciales. /Zëri