Bislimi falënderon Kroacinë për 10 mijë vaksinat e ndara për Kosovën

Bislimi falënderon Kroacinë për 10 mijë vaksinat e ndara për Kosovën

Aktuale May 06, 2021 - 19:23

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Gërliq Radman, të cilin e falënderoi për vendimin e shtetit kroat që ta ndihmojë Kosovën me 10 mijë vaksina anti-COVID.

Bislimi tha se çdo sasi vaksinash që vjen në këtë periudhë, “ka vlerë shumë të madhe për ne”.

Në takim, siç thuhet në një komunikatë për media të Kryeministrisë, u diskutua rreth vazhdimit “të marrëdhënieve shumë të mira me shtetin kroat” dhe bashkëpunimin më të ngushtë me përfaqësimin e tyre në Kosovë.

Radman e informoi Bislimin rreth donacionit prej 10 mijë dozash të vaksinës anti-COVID, që qeveria kroate ka ndarë për Kosovën në shenjë miqësie.

“Ministri Radman shprehu gatishmërinë e Kroacisë në vazhdimin e përkrahjes së saj për Kosovën në sfera të ndryshme, ndër të cilat u veçua integrimi evropian, duke pasur parasysh procesin dhe periudhën e anëtarësimit të Kroacisë në BE”, theksohet në komunikatën e Zyrës për Informim të Kryeministrisë.

Zëvendëskryeministri falënderoi ministrin kroat dhe Kroacinë për mbështetjen e deritanishme për Kosovën dhe shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. /Zëri