Infektuar: 107497
Shëruar: 104054
Vdekur: 2245
Bajrami: LVV-ja me Listën e Vuçiqit e me aprovimin e Kurtit, japin 11 milionë euro për rrymën në veri

Bajrami: LVV-ja me Listën e Vuçiqit e me aprovimin e Kurtit, japin 11 milionë euro për rrymën në veri

Aktuale May 06, 2021 - 19:33

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka vazhduar kritikat e nisura nga opozita në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetët e partisë në pushtet pro që KOSTT-i të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për 6 muajt e ardhshëm.

Bajrami thotë se pro këtij vendimi votuan deputetët e LVV-së dhe ata të Listës serbe.

“Vetëvendosje bashkë me Listën e Vuçiqit e me aprovim të z. Kurti japin 11 milionë euro (11 000 000 €) për rrymën në veri. Me 61 vota për, deputetët e LVV-së së bashku me ata të Listës ‘Srpska’ kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për katër komunat veriore”, ka thënë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Sipas saj, LVV-ja nuk po i mban premtimet që i kishte dhënë sa ishte në opozitë.

“Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë. Tani që LVV është në pushtet, veprimet kundërshtuese – të opozitës së dikurshme tani me pushtet absolut duket se janë tjetërsuar në tërësi. Sërish, edhe një herë e për të satën herë në këtë fillim, premtimet e kauzat opozitare të tyre dalin të jenë mashtrim”.

“Pagesa prej 11 milionë eurove do të bëhet nga KOSTT. KOSTT është aset i qytetarëve të Kosovës – buxheti i KOSTT-it është buxheti i shtetit. KOSTT është ndërmarrje publike”, theksoi ajo.

Ndër të tjera, ish-ministrja Bajrami tha se me veprimin e sotëm Kuvendi ka bërë ndërhyrje në menaxhimin e KOSTT-it dhe se, sipas saj, ndoshta do t’i duhet qeverisë që t’ia kthejë ato mjete KOSTT-it.

“Për më tepër Kuvendi sot ka ndërhy drejtpërdrejt në menaxhimin e KOSTT-it dhe ka shumë gjasa që Qeveria Kurti do të obligohet që përmes rishikimit buxhetor të ia kthejë këto mjete KOSTT-it”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Ky veprim i sotëm, sipas Bajramit, tregon se qeveria Kurti nuk ka plan të qartë për dalje nga kjo situatë.

“Ky vazhdim pagese tregon po ashtu se Qeveria nuk ka plan të qartë për dalje nga kjo situatë. Deklarata e shumicës se Qeveria dorëzohet para ligjshmërisë në veri e frika e kthimit të ‘policëve në arkivol’ është sa skandaloze aq edhe dorëzuese; mbi të gjitha është deklaratë ofenduese për të gjitha forcat në detyrë. Lidhja Demokratike e Kosovës do të vëzhgojë nga afër zotimet e deputetëve të Vetëvendosjes se brenda gjashtë muajsh Qeveria Kurti do të shtrijë autoritetin dhe kontrollin në katër komunat veriore duke siguruar që qytetarët atje do të paguajnë faturat e tyre të energjisë”, ka përfunduar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. /Zëri