Haradinaj thërret qytetarët në protestë kundër taksës së re prej 5 euro për regjistrim të veturave
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ftuar qytetarët në protestë për të kundërshtuar vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për një taksë shtesë prej 5 euro për çdo person që regjistron veturën.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se ky vendim qytetarëve do t’i kushtojë afër 2 milionë euro në vit, transmeton Zeri.info.
"Qytetarë të nderuar, PROTESTONI! U protestua për pesë euro taksë për shfrytëzim të Rrugës së Kombit, ndërsa tani, pa asnjë arsye iu merren 5 euro për secilin automjet! Protestoni për të drejtat tuaja", tha ndër të tjera Haradinaj.
Kreu i AAK-së tha se me këtë vendim përfiton një biznes privat e jo buxheti i shtetit.
"Qeveria e Kosovës ka vendos një taksë krejtësisht të re, në vlerë prej 5 euro, në secilën herë që i regjistroni automjetet tuaja. Me këtë vendim përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, duke zbraz xhepat e qytetarëve me afro 2 milion euro në vit, të cilat nuk i shkojnë buxhetit të shtetit", ka thënë Haradinaj.