LDK: LVV-ja thoshte se do të vendosë reciprocitet me Serbinë, tani po i largon të gjitha masat

LDK: LVV-ja thoshte se do të vendosë reciprocitet me Serbinë, tani po i largon të gjitha masat

Aktuale July 30, 2021 - 15:03

Dje në media ka qarkulluar lajmi se ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka hequr taksën për bllokat e ndërtimit që importohen nga Serbia.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar lidhur me këtë, duke thënë se para disa muajsh Lëvizja Vetëvendosje thoshte se në ditët e para të qeverisjes do të vendosnin reciprocitet të plotë me Serbinë, ndërsa tani po i largon të gjitha masat mbrojtëse.

“Në opozitë rrëzonin kamionët që vinin nga Serbia, tani në pushtet, Vetëvendosja mirëpret materialin ndërtimor nga Serbia dhe heq barrierat që kishin vënë qeveritë paraprake! Erdhën në pushtet duke i mashtruar qytetarët, duke proklamuar se Kosova i është nënshtruar ekonomikisht Serbisë e se qeveritë e kaluara të Kosovës ishin tradhtarë për këto veprime. Por sapo erdhën në pushtet, shfuqizuan masën mbrojtëse të vitit 2016 për prodhuesit vendorë të materialeve ndërtimore dhe ua hapën prodhuesve nga Serbia dyert e tregut të Kosovës. Partia që para pak muajsh deklaronte se në ditët e para të qeverisjes do të vendosnin reciprocitet të plotë me Serbinë, tani në pushtet po i largon të gjithat masat mbrojtëse ndaj Serbisë”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas LDK-së, “arsyetimi” i Qeverisë se afati i vendimit të vitit 2016 ka skaduar, është i papranueshëm.

“Është i papranueshëm, nëse jo edhe qesharak, arsyetimi i Qeverisë se afati i vendimit të vitit 2016 ka skaduar dhe se do të bëjnë një hetim tjetër për të vendosur prapë këtë masë. Pse Qeveria dhe Ministria nuk e bënë këtë hetim më herët dhe mandej ta marrin vendimin. Kanë pushtet absolut në Qeveri dhe shumicë në Kuvend. Kanë fuqinë politike dhe numrat e mjaftueshëm të nxjerrin vendime të reja që mbrojnë prodhuesit vendorë dhe, nëse është nevoja, të ndryshojnë ligje në Kuvend”, kanë thënë nga LDK-ja.

“Ato që i kanë pasur me bollëk kur ishin në opozitë, fjalët e shumta e të zbrazëta, linçimet dhe poshtërimet nuk u shërbejnë tani në pushtet. Qeverisja kërkon dije, që nuk e kanë; kërkon guxim, që nuk po e gjejnë; kërkon kreativitet, që nuk po dinë as çka është. Ndërsa çmimin e patriotizmit bosh të tyre, ku me fjalë shajnë e poshtërojnë partitë e tjera e me vendime përqafojnë prodhimet serbe, do ta paguajnë prodhuesit kosovarë dhe qytetarët tanë”, thuhet në reagimin e LDK-së. /Zëri