Grubi dhe Gërvalla dakordohen që mbledhja e të dy qeverive të mbahet në shtator

Grubi dhe Gërvalla dakordohen që mbledhja e të dy qeverive të mbahet në shtator

Aktuale July 30, 2021 - 15:49

Sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka pritur në takim ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë së Kosovës, Donika Gërvalla.

Grubi dhe Gërvalla konstatuan se marrëdhëniet bilaterale në mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se ky bashkëpunim i mirë do të vazhdojë në të ardhmen me realizimin e projekteve të përbashkëta në sfera të ndryshme, që kanë për qëllim thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

Gjatë këtij takimi të dy janë dakorduar që mbledhja e përbashkët në mes dy qeverive të mbahet në gjysmën e parë të muajit shtator të këtij viti.

Dyshja mes të tjerash kanë diskutuar edhe mbi gjendjen aktuale në rajon, bashkëpunimin rajonal, si dhe procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Alternativë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe e rajonit mbetet Bashkimi Evropian, ne si vend kemi bërë hapa shumë të guximshëm në aspektin politik, kemi finalizuar reformat e kërkuara dhe presim që Bashkimi Evropian t’i vlerësojë këto arritje, ndërkohë që punojmë në ngritjen e standardit jetësor për qytetarët”, ka theksuar Grubi, bëhet e ditur në njoftimin për media. /Zëri