Në mungesë kuorumi, dështon intervistimi i kandidatëve për anëtarë të Bordit të Ankesave të KMP-së

Në mungesë kuorumi, dështon intervistimi i kandidatëve për anëtarë të Bordit të Ankesave të KMP-së

Aktuale July 30, 2021 - 19:48

Largimi i deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku dhe koleges së tij nga AAK, Time Kadrijaj nga mbledhja e Komisionit Ad-hoc ka bërë që të premten të dështojë intervistimi i  kandidatëve për anëtarë të Bordit të Ankesave në Komisionin e Pavarur të Mediave.

Kjo pasi largimi i dy deputetëve ka bërë që komisioni të mos ketë kuorum.

Pas fillimit mbledhjes, Lushtaku ka pasur diskutime me dy deputetët Valon Ramadani dhe Doarsa Kica-Xhelili, të cilët kishin ardhur me vonesë në komision dhe kanë dashur të hapin çështjen e marrëveshjes së konfidencialitetit e iniciuar një mbledhje më herët.

Pas këtyre polemikave lidhur me çështjen e marrëveshjes së konfidencialitetit,  Lushtaku ka dalë nga takimi duke lenë deputetin e Vetëvendosjes, Valon Ramadani në cilësinë e zëvendësuesit, i cili s’ka pasur kuorum për vazhdimin e mbledhjes.

Instituti i Kosovës për Drejtësi së bashku me 18 organizata dhe aktivistë nënshkrues të mërkurën kanë reaguar në lidhje me ligjshmërinë e kësaj marrëveshjes së konfidencialitetit e propozuar nga deputetët në rastin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Ankesave të KMP-së.

Sipas këtij reagimi, këto organizata kanë kundërshtuar fuqishëm iniciativën e deputetëve përmes së cilës sipas tyre tentohet që të heshtet shoqëria civile dhe t’i mbyllet goja aktivistëve.

“Kufizimet e përcaktuara me këtë Marrëveshje për Konfidencialitet janë të kundërligjshme, e cenojnë rëndë të drejtën e informimit të publikut dhe e pamundësojnë punën e shoqërisë civile. Marrëveshja për Konfidencialitet përcakton, mes tjerash, që përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk mund të diskutojnë hapur apo të publikojnë materiale lidhur me kandidatët si dhe ecurinë e procesit gjatë kohëzgjatjes së këtij procesi (si dhe përmban kufizime të theksuara që do të vlenin pasi procesi të përfundojë). Megjithëse çmojmë nevojën e ruajtjes së integritetit të procesit, Marrëveshja për Konfidencialitet është e kundërligjshme. Ligji Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave përcakton që “[a]nëtarët e Bordit për Ankesa emërohen nga Kuvendi i Kosovës në bazë të procedurave të hapura dhe transparente” (neni 38(1)). Kjo dispozitë pamundëson tendencat e dëmshme të Komisionit ad-hoc që procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të mbyllen përmes marrëveshjeve për konfidencialitet. Kushtëzimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile në procesin e përzgjedhjes me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje cenon kërkesën ligjore që procedura të jetë e hapur dhe transparente, duke ua pamundësuar përfaqësuesve të shoqërisë civile që të shprehen lirshëm lidhur me gjetjet eventuale”, thuhej në këtë reagim. /betimipërdrejtësi