Blinkeni “ia ndërron mendjen” Borrellit: Mbështesim Kosovën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Foto: Anadolu Agency

Blinkeni “ia ndërron mendjen” Borrellit: Mbështesim Kosovën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Aktuale October 20, 2021 - 13:36

Sekretari i Shtetit amerikan, Antony Blinken, dhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, u takuan javën e kaluar në Washington, ku thuhet se BE-ja dhe SHBA-ja u pajtuan për të forcuar edhe më tej angazhimin e tyre të përbashkët në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të progresit të rajonit në rrugën e tij evropiane.

Kështu thuhet në një deklaratë të përbashkët të Blinkenit dhe Borrellit të lëshuar sot, raporton Zeri.info.

Në këtë deklaratë thuhet se dy palët kanë nënvizuar mbështetjen e tyre të plotë për procesin e zgjerimit të BE-së.

Për sa i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, Blinkeni dhe Borrelli thanë se ky proces është i rëndësishëm për ta.

“Theksojmë rëndësinë e Dialogut të lehtësuar nga BE, i cili është mekanizmi kryesor për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, u tha në këtë deklaratë.

Një gjë që bie në sy është deklarata e dyshes në lidhje me aksionin e fundit të Policisë së Kosovës (13 tetor) në pjesën veriore të vendit kundër kontrabandës, ku pati trazira mes forcave të rendit dhe qytetarëve të atjeshëm.

Pas këtij aksioni, ishte Borrelli ai që nuk e mbështeti këtë aksion duke thënë se ishte “i njëanshëm” dhe “i pakoordinuar”, ndërsa kërkoi që për çështje të tilla të diskutohet me Serbinë në Bruksel. Për këtë deklaratë ai u kritikua gjerë e gjatë.

Por, në deklaratën e përbashkët të dy zyrtarëve, shihet se qasja e Borrellit ka ndryshuar.

Aty theksohet se dyshja e kanë mirëpritur dhe mbështetur angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke iu referuar aksionit të fundit në veri të vendit, ndonëse pa e përmendur specifikisht.

“Pas javëve të fundit të tensionit në veri të Kosovës, inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në shtensionim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm dhe të shmangin veprimet që kërcënojnë stabilitetin. Mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe ritheksojmë se dhuna kundër civilëve, gazetarëve, policisë ose autoriteteve të tjera është e papranueshme”, është thënë në deklaratën e përbashkët të Sekretarit të Shtetit amerikan dhe shefit të diplomacisë evropiane, raporton Zeri.info.

Më tej thuhet se ata janë pajtuar që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë të hapin negociatat për anëtarësim “pa vonesë”.

“Pranimi në BE, një prioritet i deklaruar për të gjithë Ballkanin Perëndimor, ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në avancimin e sundimit të ligjit. Ky rajon i përket Bashkimit Evropian. Integrimi më i ngushtë do të rrisë stabilitetin dhe do të kontribuojë në prosperitetin e njerëzve të rajonit. Në këtë kontekst, ne theksojmë se negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë pa vonesë”, thuhet në këtë deklaratë.

BE-ja dhe SHBA-ja, u tha më tej në deklaratë, janë të bashkuara në mbështetjen e tyre të fortë për integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe në punën e tyre të përbashkët për të promovuar reformën zgjedhore dhe kushtetuese dhe për të ruajtur funksionalitetin e institucioneve të saj shtetërore.

“Ne kemi shqetësime serioze për retorikën gjithnjë e më përçarëse në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë dhe mbrojnë institucionet shtetërore, të rifillojnë dialogun konstruktiv dhe të ndërmarrin hapa për të çuar përpara përparimin në rrugën e integrimit në BE - përfshirë reformat përkatëse. BE -ja dhe Shtetet e Bashkuara janë gati të lehtësojnë këto hapa”, theksuan dy zyrtarët e lartë.

Në fund, Blinkeni dhe Borrelli u kanë bërë thirrje “të gjitha forcave politike në Mal të Zi që të punojnë së bashku për të ruajtur një orientim strategjik që reflekton dëshirën e popullit të Malit të Zi për të arritur reformat e nevojshme për t'i bërë realitet shpresat e tyre për një të ardhme në BE”. /Zëri