Publikohen formularët e rezultateve zgjedhore, ende s’dihet data e rezultateve përfundimtare

Publikohen formularët e rezultateve zgjedhore, ende s’dihet data e rezultateve përfundimtare

Aktuale October 20, 2021 - 14:43

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Valmir Elezi ka njoftuar për të rejat e fundit në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.

Elezi ka bërë të ditur se tashmë ka nisur të bëhet edhe publikimi i formularëve të rezultateve, përcjell Zeri.info.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e formularëve të rezultateve, të cilët janë plotësuar në vendvotime me 17 tetor pas numërimit të fletëvotimeve. Si procedurë, këta formularë skanohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe pastaj ngarkohen në uebfaqen e KQZ-së. Formularët e publikuar janë kopje e formularëve të plotësuar në vendvotime dhe çdo kandidat i interesuar mund ta shfletojë rezultatin që ka arritur në çdo vendvotim. Ky publikim është në proces e sipër dhe duhet ta sqarojmë se nuk është një shpallje e rezultateve përfundimtare”, tha Elezi, duke mos treguar se kur pritet të dalin rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së po ashtu theksoi se është duke u bërë edhe skanimi i listës së votuesve.

“Ky skanim është i domosdoshëm, sepse në këtë mënyrë mund të krahasojmë pjesëmarrësit në vendvotime të rregullta dhe personat të cilët votuan me kusht. Kjo do të na bënte të mundur të identifikoheshin rastet nëse një person ka votuar më shumë se një herë, pra në votimin e rregullt dhe atë me kusht”, tha Elezi.

Ai shtoi se KQZ-ja është në pritje të vendimmarrjes nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me ankesat që janë parashtruar në këtë institucion.

“Afati ligjor për vendosjen lidhur me këto ankesa përfundon ditën e enjte”, shtoi Elezi. /Zëri