Lajçaku pas takimit: Pas 6 muajsh paraqesim gjetjet konkrete për targat

Lajçaku pas takimit: Pas 6 muajsh paraqesim gjetjet konkrete për targat

Aktuale October 21, 2021 - 15:31

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi Miroslav Lajçak ka treguar se sot është mbajtur takimi i grupit punues në Bruksel lidhur me çështjen e një zgjidhjeje për targat.

Ai ka thënë se grupi i kryesuar nga këshilltarët e tij do të takohet rregullisht e për çka beson që pas gjashtë muajve do t’i paraqesin gjetjet konkrete.

“Këtë mëngjes në Bruksel mirëprita delegacionet e ekspertëve për takimin e parë të Grupit të Punës për Targat, siç ishte rënë dakord më 30 shtator. Grupi i kryesuar nga këshilltarët e mi do të takohet rregullisht. Unë besoj se ata do të paraqesin gjetje konkrete në 6 muaj”, ka shkruar Lajçaku, raporton Televizioni Publik.

Krejt kjo erdhi pasi Kosova kishte vendosur masën e reciprociteti për targat e automjeteve nga Serbia, për çka nxiti reagimin e kësaj të fundit.

Pas 13 ditësh bllokadë të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në Bruksel u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për largimin e barrikadave dhe policisë së Kosovës, kjo kërkesë që ishte pika e parë e marrëveshjes. Pikë e dytë e marrëveshjes ishte vendosja e etiketave në vetura, e cila filloi të zbatohet më 4 tetor.