Kurti: Kemi arritur të heqim pengesën kryesore në zbatimin e MSA-së, atë të mungesës së stabilitetit politik

Kurti: Kemi arritur të heqim pengesën kryesore në zbatimin e MSA-së, atë të mungesës së stabilitetit politik

Aktuale December 02, 2021 - 22:35

Nën udhëheqjen e Kryeministrit, Albin Kurti, sot u mbajt mbledhja e tretë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian. Kjo mbledhje u organizua për qëllim të diskutimit dhe koordinimit lidhur me mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit (KSA), e cila do të mbahet në javën e dytë të muajit dhjetorit në Bruksel.

Edhe pse e katërta me radhë, kjo ishte mbledhja e parë e KSA-së pas marrjes së detyrës nga Qeveria e re.

Në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, Kurti tha se "kemi arritur të heqim pengesën kryesore në zbatimin e MSA-së, atë të mungesës së stabilitetit politik".

"Stabiliteti politik dhe legjitimiteti demokratik janë parakushte që kanë munguar, e që zgjedhjet e 14 shkurtit i kanë mundësuar për të krijuar pronësinë vendore, që nevojitet për zbatimin e reformave për integrim në Bashkimin Evropian", u shpreh ai.

Ai tha se gjatë këtyre tetë muajve të qeverisjes janë miratuar dhe po zbatojë në afate kohore prioritetet politike për integrim evropian ose Agjendën për Reforma Evropiane (ERA II), ndërkaq në anën tjetër pret që Bashkimi Evropian sa më shpejt të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës. /Zëri