Abdixhiku gozhdon Qeverinë për shtrenjtimin e energjisë: Tani kjo është krizë

Abdixhiku gozhdon Qeverinë për shtrenjtimin e energjisë: Tani kjo është krizë

Aktuale January 18, 2022 - 19:30

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas shtrenjtimit të energjisë elektrike, si propozim nga ZRRE-ja, e që Qeveria zotoi 75 milionë euro për ta zbutur këtë çmim tek disa shtresa/blloqe tarifore.

Abdixhiku këtë e ka quajtur si “çmim të paaftësisë” së Qeverisë, duke i numëruar procesin e vonimit të marrjes së vendimeve.

“Në fillim thanë s’kemi krizë. Më pas i dhanë 100 milionë euro për blerje të energjisë. Para të buxhetit të shtetit që mund t’i përdornim shumë më mirë. Tani kemi edhe krizë, edhe 100 milionë më pak, edhe shtrenjëtim të energjisë. Papërgjegjësia kushton. Reagimi i vonshëm kushton. Dhe dy javë nga sot, këtë padituri e papërgjegjësi të Qeverisë, përtej 100 milionëshit të djegur tashmë, do ta paguajnë më shumë se gjysma e familjeve kosovare në faturat e tyre mujore të energjisë. Për çdo muaj në vijim, një e treta e pagës mesatare në Kosovë do të shkojë për energji. Tani kjo është krizë”, ka thënë Abdixhiku, raporton Zëri.

Rritja që do të ndodhë, sipas tij, është më e madhja në histori.

“Ky është shtrenjëtimi më i lartë i energjisë elektrike në gjithë historinë e Kosovës. Përveç se po paguajmë shtrenjtë, përveç se familjet po diskriminohen pa ndonjë kriter logjik, nuk ka as plan e as ide për një zhvillim strategjik afatgjatë energjetik. Vendime të vonshme dhe zgjidhje skandaloze - ky është epilogu i paaftësisë. Jam i bindur, natyrisht, se edhe këtë herë do të gjejnë një fajtor diku në 20 vjet. Por s’ka gjë që mund ta mbulojë këtë jokompetencë. S’ka gjë që mbulon barrën financiare që po ja vënë familjeve kosovare”.

E enjta pritet të jetë një seancë e nxehtë parlamentare, pasi është paralajmëruar sikur nga AAK, ashtu tash edhe nga LDK që do të ketë kundërshtime./Zëri