Shërbimi Korrektues ndërmerr masa të përkohshme kundër COVID-19
Foto: Laura Hasani

Shërbimi Korrektues ndërmerr masa të përkohshme kundër COVID-19

Aktuale January 21, 2022 - 10:45

Shërbimi Korrektues i Kosovës, në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, duke u bazuar në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme të pandemisë në vend, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të të burgosurve dhe stafit, merr vendim që nga data 22 janar 2021 të ndërmarrë disa veprime të përkohshme për zbatimin e masave kundër COVID-19.

Në mesin e këtyre veprimeve janë edhe ndalimi i vizitave familjare për të gjitha kategoritë e të burgosurve, pastaj ndalimi i vikendeve për të dënuarit nëpër institucionet korrektuese dhe ndalimi i vizitave në lokalet e veçanta.

Veç këtyre veprimeve, SHKK-ja ka lejuar aplikimin e sistemit virtual të komunikimit “Skype” për të burgosur, për të mundësuar kontaktet me familjet, sipas rutinës së përcaktuar nga Institucioni, si dhe lejimin e numrit të shtuar të thirrjeve telefonike gjatë kësaj periudhe.

Ndërsa, si masë tjetër është edhe pastrimi i rrobave për të paraburgosur, veprim i cili do të organizohet në institucione.

Nga këto masa përjashtohen Institucioni i Avokatit të Popullit dhe mbrojtësit (avokatët) në rastet kur gjykimi është në zhvillim.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim”, ka thënë SHKK-ja në një njoftim për media.