“Elektrosever”-i shkel afatet e përcaktuara me marrëveshje

“Elektrosever”-i shkel afatet e përcaktuara me marrëveshje

Aktuale July 07, 2022 - 10:08

Kompania serbe "Elektrosever" nuk i ka dorëzuar të dhënat e fundit për konsumatorët në Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë - KEDS dhe tek Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë - KOSTT.

"Elektrosever"-i gjithashtu nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun e Kosovës për energji.

Këto obligime dalin nga Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Energjinë, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord më 21 qershor.

Si rezultat i këtyre obligimeve, kompania "Elektrosever" është licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.

Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe.

Ajo është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

"Eletroerver"-i, “aktualisht pa klientë”

Në udhërrëfyesin që është bërë publik nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thuhet se brenda shtatë ditësh nga lëshimi i licencës, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit për konsumatorët, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Udhërrëfyesi, po ashtu, specifikon që “dhjetë ditë pas lëshimit të licencës për furnizim”, Elektrosever do t’i nënshkruajë marrëveshjet teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, EPS thotë se licenca që Elektrosever e ka marrë nga ZRRE-ja “ende nuk është funksionale” dhe se “kompania aktualisht nuk ka klientë”. Më shumë detaje nuk jepen.

KOSTT-i: "Elektrosever"-i nuk i ka dërguar të dhënat brenda afatit

Se ende nuk i ka marrë të dhënat për konsumatorë, e konfirmon edhe vetë KOSTT-i.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ky operator i transmisionit thotë se kompania Elektrosever nuk ka vepruar në përputhje me pikën e dytë të Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë.

KOSTT-i shton se marrëveshjet e nevojshme teknike “janë nënshkruar” nga ana e tij, “në përputhje me format standarde të këtyre marrëveshjeve, të aprovuara nga ZRRE-ja” dhe se ato “janë dërguar për nënshkrim tek Elektroseveri, në afatin e paraparë sipas udhëzuesit”.

“Por, ende nuk i kemi pranuar të njëjtat të nënshkruara nga kompania Elektrosever. Jemi në pritje të konfirmimit nga furnizuesi Elektrosever”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje edhe te KEDS-i në lidhje me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

REL-i i është drejtuar edhe Qeverisë së Kosovës me pyetjen se çfarë e pason mosrespektimin e afateve nga "Elektrosever"-i, por nuk ka marrë përgjigje.

Nga BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi, thonë se presin që “të dyja palët t’u përmbahen hapave të rënë dakord dhe t’i zbatojnë ata në kohën e duhur”.

“BE-ja, gjithashtu, u bën thirrje të dyja palëve që të bëjnë përparim në të gjitha punët e tjera të pazgjidhura, që lidhen me zbatimin [e marrëveshjes]”, thuhet në një deklaratë nga Zyra për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, dërguar REL-it.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU