ZPS-ja kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Salih Mustafës

ZPS-ja kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Salih Mustafës

Aktuale July 07, 2022 - 11:31

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, që t’ia vazhdojë masën e paraburgimit Salih Mustafës, i cili po gjykohet për krime lufte.

Sipas tyre, vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit mbetet i nevojshëm dhe proporcional, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dyshimet e bazuara dhe – megjithëse vetëm një do të mjaftonte – secili nga rreziqet e Nenit 41 (6) (b), vazhdojnë të ekzistojnë. I akuzuari ende mund të pengojë progresin e procedurës kryesisht duke ndërhyrë te viktimat, dëshmitarët dhe/ose familjet e tyre dhe masat e tjera përveç paraburgimit nuk janë në gjendje ta zbusin këtë”, thuhet në shkresën e Prokurorisë.

“Probabiliteti i ndodhjes së tyre është rritur ndjeshëm nga përfundimi i afërt i çështjes që shënohet me mbylljen e çështjes së Prokurorisë, mbylljen e çështjes së Mbrojtjes, mbylljen e procedurës së provave dhe caktimin e fjalëve përfundimtare. Nuk ekzistojnë rrethana të reja, vetëm faktorë shtesë që luftojnë në favor të vazhdimit të paraburgimit”, ka pretenduar Prokuroria.

Ndryshe, aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.