Haradinaj: Veprimi që u la në gjysmë mbrëmë, humbje për Kosovën

Haradinaj: Veprimi që u la në gjysmë mbrëmë, humbje për Kosovën

Aktuale August 01, 2022 - 12:06

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë për shtyrjen e afatit për zbatimin e masës së reciprocitetit me Serbinë.

Haradinaj ka thënë se Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente, ndërsa shton se veprimi i lënë në gjysmë të rrugës, si ishte ai i mbrëmshmi, është humbje për Kosovën, transmeton Zeri.info.

“Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente. Operacionet e sigurisë për shtrirjen e sovranitetit duhet të studiohen, të analizohen e të shpjegohen mirë. Çdo veprim i lënë në gjysmë të rrugës, siç ishte ai i mbrëmshmi, është humbje për Kosovën. Zbatimi i rendit dhe ligjit është pa alternativë dhe duhet të bëhet në konsultim të ngushtë me aleatët e sigurisë”, shkroi Haradinaj.

Ai ka kërkuar që afati prej 30 ditësh për zbatimin e reciprocitetit duhet të shfrytëzohet me shumë seriozitet.

“Shteti i Kosovës nuk dobësohet vetëm nga bandat kriminale në veri, por edhe nga të paditurit e praktikantët në Qeveri. Kushtetuta e vendit është më e fortë sesa kriminelët në veri, e të paditurit e praktikantët në qeveri”, shtoi ai.

Më tej Haradinaj kërkoi nga Qeveria që të forcojë policinë, duke votuar ligjin për paga, për sigurim shëndetësor e pensional.

“Qeveri, nëse hala je qeveri, voto ligjet e forcoje Policinë, ligjin për paga dhe ligjet për sigurim shëndetësor e pensional. Nëse s'je qeveri, do të shihet më 31 gusht”, shkroi Haradinaj në rrjetet sociale. /Zëri