
Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë sot nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Aktuale
September 20, 2022 - 08:00
Drejtoria për Marrëdhënie me Mediat dhe Publikimet e Kuvendit të Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se të martën në Kuvendin e Shqipërisë do të nënshkruhet memorandum bashkëpunimi midis Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë.
“Të martën, më 20 shtator 2022, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi midis dy parlamenteve”, thuhet në njoftim.
Memorandumi nënshkruhet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në Tiranë, në orën 12:00.
Bëhet e ditur se pas nënshkrimit të memorandumit, kryetarët, Konjufca dhe Nikolla, do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.