Miftaraj: Me buxhetin që ka, Sindikatës i duhen 100 vjet t’i paguajë grevistët për dy muaj

Miftaraj: Me buxhetin që ka, Sindikatës i duhen 100 vjet t’i paguajë grevistët për dy muaj

Aktuale October 04, 2022 - 10:31

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, po konsideron se mosekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligjin.

Ai shton se është arbitrare që t’u pezullohen pagat grevistëve. Madje, sipas tij, grevistët mund t’i marrin pagat nëse dorëzojnë padi në gjykatë, por që shteti do të ketë trefish shpenzime.

Miftaraj thotë se nëse veprohet siç po thotë Qeveria, Sindikata duhet që 100 vjet të marrë pagesë prej anëtarësisë për t’i paguar grevistët vetëm dy muaj.

Kjo ngase, sipas tij, Sindikata e ka buxhetin vjetor 700 mijë euro, kurse çdo muaj shteti jep paga deri në 35 milionë euro.

“Pse pezullimi i pagave është i kundërligjshëm, është fakti sepse Ligji për grevat, Neni 1 i saj, e përcakton që qëllimi i këtij ligji ka për qëllim që t’i ofrojë të drejtat dhe benificionet e grevistëve, si dhe këto të drejta duhet të interpretohen në pajtim në standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë. Standardet ndërkombëtare në këtë rast janë opinionet ligjore praktikat më të mira të organizatës ndërkombëtare të punës.

Me vetë faktin që Kosova është një shtet i ri dhe pothuajse Sindikata s’ka mjete, e ka një buxhet të kufizuar për t’ua paguar grevistëve ditët e humbura në grevë, kjo automatikisht e detyron shtetin që të mos marrë masa represive duke ua kufizuar të drejtën për pagë grevistëve. Është arbitrare që të kufizohen pagat e t’u pezullohen pagat grevistëve.

Mësimdhënësit, nëse do të bënin padi, do të siguronin pagat, do të hynin edhe shpenzimet e tjera si për avokatin, pagesat administrative dhe në bazë të llogaritjeve, 1000 shkojnë zakonisht për avokat, kamata ligjore do të ketë një trefishim të obligimeve të shtetit në raport me grevistët.

Shteti po e lexon Ligjin për greva, nuk po e interpreton atë, fillimisht e ka për detyrë ta lexojë e ta kuptojë atë dhe praktikat ndërkombëtare.

SBASHK-u brenda vitit ka buxhet 700 mijë euro, por nëse do të bëjë grevë, duhet të presë 100 vjet për t’i mbledhur 70 milionë euro prej anëtarësisë, duke mos bërë asnjë shpenzim shtesë, ngase brenda muajit vetëm në sektorin publik jepen 35 milionë euro paga, i bie që Sindikata duhet të marrë anëtarësi për 100 vjet për t’i paguar grevistët që janë në grevë dy muaj”.