Ankesa e Kosovës në FIFA, serbët kërcënojnë me vrasje familjen e ministrit Çeku
Foto: Laura Hasani

Ankesa e Kosovës në FIFA, serbët kërcënojnë me vrasje familjen e ministrit Çeku

Aktuale November 27, 2022 - 22:39

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Hajrulla Çeku, ka thënë se ka pranuar qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia, nga momenti që e thotë se e ka sensibilizuar opinionin botëror për veprimin shovinist të ekipit të tyre të futbollit në Botërorin Katari 2022.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Çeku ka bërë të ditur se këto mesazhe i ka pranuar përgjatë dy ditëve të fundit.

“Fyerjet drejtuar familjes sime dhe kërcënimet me vrasje janë tregues të radhës se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajonin tonë. Demokratizimi i Serbisë dhe shkëputja nga kontrolli rus janë parakushte për siguri e përparim në Ballkanin Perëndimor. Një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën tonë është edhe diplomacia qytetare. Reagimet publike të shumë qytetarëve tanë i kanë dhënë fuqi ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës drejtuar FIFA-s. Besojmë që Serbia do të marr dënimin e merituar për veprimin skandaloz të tyre që e shndërron sportin në mjet të aspiratave pushtuese”, ka shkruar Çeku ndër të tjerash. /Zëri