Vuçiqi e mohon masakrën dhe reagon ndaj ndërkombëtarëve që shkuan në Reçak të dielën

Vuçiqi e mohon masakrën dhe reagon ndaj ndërkombëtarëve që shkuan në Reçak të dielën

Aktuale January 17, 2023 - 13:17

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në një paraqitje televizive mbrëmë në Serbi ka folur për “rastet e sulmeve ndaj serbëve”, përfshirë edhe atë që ndodhi në Shtërpcë për Krishtlindjet Ortodokse. Ai ka akuzuar të gjithë ndërkombëtarët që reaguan në lidhje me rastin, por që sipas tij nuk e potencuan qëllimshëm që bëhet fjalë dy serbë, por për dy qytetarë të Kosovës.

Tutje Vuçiqi u mor me tubimin përkujtimor të masakrës së Reçakut, ku ishin edhe disa diplomatë të akredituar në Prishtinë.

Ai tha se aty ishte edhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier, i cili këtë vit masakrën e Recakut e përkujtoi me fjalimin e vitit të kaluar dhe nuk ishte fizikisht aty.

Vuçiqi e mohoi përsëri masakrën e Reçakut, ku forcat serbe kishin ekzekutuar 45 civilë, duke thënë se ajo është kontestuese.

“Shikoni çfarë ndodhi dje, të gjithë, nga Hovenieri, Wigemarku, të gjithë, Zyra e BE-së EULEX-i, Zyra e OKB-së, të gjithë morën pjesë në komemoracionin në Reçak në diçka që është absolutisht kontestuese nga aspekti juridik i ngjarjes që ka ndodhur. Unë jam njeri prej tyre që ka folur vazhdimisht për këtë dhe e kam kundërshtuar narrativin e shqiptarëve dhe atyre të bashkësisë ndërkombëtare që kërcënoni që secili që thotë diçka ndryshe do të dënohet” ka thënë Vuçiqi.

Tutje ai ka thënë se këtë e mendojnë të gjithë serbët edhe disa politikanë, që sipas tij frikësohen ta thonë publikisht.

Presidenti serb e ka përmendur edhe rastin e ish-ministrit të Listës Serbe, që është dënuar për shkak të mohimit të masakrës së Reçakut.

“Ivan Todosijeviq është dënuar me 2 vjet, më pas është hedhur poshtë aktgjykimi, pastaj shkalla e dytë, pastaj dënimi u bë 1 vit dhe tash nuk e dinë se çfarë do të bëjnë. Pse e gjithë kjo, për shkak të deliktit verbal, për atë se ai mendon diçka që mendojmë të gjithë ne, por që shumica e politikanë frikësohet ta thotë këtë për të mos e ofenduar dikë nga ambasadat”. /express