Logopedi që abuzoi me 3-vjeçaren autike kthehet në punë në QKUK

Logopedi që abuzoi me 3-vjeçaren autike kthehet në punë në QKUK

Aktuale January 20, 2023 - 15:03

Iljasa Fazliu, logopedi që abuzoi me 3-vjeçaren me autizëm është kthyer në punë në Klinikën e ORL-së, në QKUK.

Kthimi në punë i logopedit Fazliu është bazuar në vendimin e lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku i njëjti nuk ka dënim të formës së prerë.

Lajmin e ka konfirmuar Zyra për media e QKUK-së.

“Në lidhje me rikthimin e tij në punë, ju njoftojmë se i njëjti është kthyer në punë vetëm si logoped në Klinikën e ORL-së, por jo u.d. shef i shërbimit. Komision Disiplinor vendimin e ka bazuar në Certifikatën mbi Dënimet Penale të lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku I.F figuron se nuk është i dënuar me Aktgjykim të formës së Prerë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së dhënë Insajderit.

Rikthimi në punë i logopedit është bërë derisa i njëjti është në rilicencim, pasi nuk kishte licencë të logopedit nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

“Po ashtu, ka sjellë dëshminë nga Oda e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndësore të Kosovës,  Vëretetim, sipas të cilit është në procedurë të rilicencimit të tij nga data 5 janar 2023”, thuhet më tej në përgjigjen e QKUK-së.

Logopedi, Iljasa Fazliu nga Gjilani ka abuzuar psiqikisht në ordinancën e tij një fëmijë 3-vjeçar të diagnostikuar me autizëm. Gazeta Insajderi kishte siguruar video incizimet ku i njëjti dëgjohet duke e sharë e ofenduar fëmijën teksa dëgjon të qarat e tij.