“Të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje”, Rama reagon pas takimit Kurti-Vuçiq në Ohër

“Të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje”, Rama reagon pas takimit Kurti-Vuçiq në Ohër

Aktuale March 19, 2023 - 00:39

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas negociatave në Ohër të Maqedonisë së Veriut,  mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilat u zgjatën për rreth 12 orë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se pati një marrëveshje, por nuk kishte nënshkrim. Ndaj, ai shpreson që kjo trë mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik.

“Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit’, shkroi Rama në Twitter.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell deklaroi se pas 12 orësh bisedime, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për propozimin evropian.

“Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e aneksit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre”, tha ai, duke iu referuar propozimit evropian që palët e pranuan më 27 shkurt në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se marrëveshja e arritur është “njohje de facto” por shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po i shmanget nënshkrimit të marrëveshjes.