Mazreku: Etiketat ndikuan pozitivisht në sigurinë e trafikut rrugor

Mazreku: Etiketat ndikuan pozitivisht në sigurinë e trafikut rrugor

Aktuale March 20, 2023 - 14:16

Nga 16 marsi 2023, asnjë automjet nëpër rrugët e Kosovës nuk duhet të jetë pa ngjitës (stikers), i cili dëshmon se automjeti në fjalë ka të kryer procesin e regjistrimit, ashtu siç parashihet me ligjet në fuqi.

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, tha se përmes këtij projekti pritet edhe më shumë ulja e numrit të automjeteve të paregjistruara në Kosovë, që vitet e kaluara kanë qenë mbi 200 mijë automjete.

“Është vërejtur shumë se ky projekt ka qenë shumë i suksesshëm. Ende pa u bërë një vit kemi vërejtur se ka pasur 10 deri në 15% më pak aksidente, këtë vit presim që të kemi edhe më pak aksidente”, tha ai për RTK-në.

Mazreku bëri me dije zbatimi i projektit për vendosjen e ngjitëseve është mbështetur financiarisht 100% nga kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë.

Mazreku ka folur edhe për zhvillimin e sektorit të sigurimeve.

“Përherë të parë kemi një sektor stabil dhe mirë të kapitalizuar. Sipas tij, kjo arritje është falë përkushtimit të guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmeti dhe të kompanive të sigurimeve që operojnë në Kosovë. Ai ka përmendur heqjen e barrierave që kanë dëmtuar rëndë kompanitë e sigurimeve si: Ligji për kryqin e kuq, Ligji për korporata dhe së fundi heqjen e kushtëzime të tatimit në prone”.