Osmani falënderon American Councils dhe KAEF-in për mbështetjen ndaj studentëve kosovarë

Osmani falënderon American Councils dhe KAEF-in për mbështetjen ndaj studentëve kosovarë

Aktuale March 21, 2023 - 17:41

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e American Councils dhe Fondit Kosovaro-Amerikan për Edukim (KAEF), ndaj të cilëve shprehu mirënjohje dhe vlerësime për mbështetjen e vazhdueshme që ky program ofron për studentët kosovarë, të cilëve u mundësohen studimet në SHBA, duke theksuar se këto shkëmbime janë në interes të përbashkët të të dy vendeve.

Tutje, nga presidenca bëjnë të ditur se e para e shtetit theksoi se programe të tilla thellojnë më tej bashkëpunimin në mes të dy vendeve. Në takim u diskutua për mundësitë që një program i tillë ofron për zhvillimin dhe avancimin e sektorëve kyç dhe profesioneve të shumta në vend, në mesin e të cilave edhe shumë fusha e programe inovative e shumë të rëndësishme për zhvillimin e tregut të punës në përputhje me trendet më të reja dhe nevojat e shumta.

Ndërkaq, nga ana e American Councils dhe KAEF-it, u shprehën mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga ana e Presidentes Osmani, si dhe vlerësuan lartë ndihmën e ofruar këtë vit nga Qeveria e Kosovës përmes ndarjes së fondeve me të cilat është garantuar vijimi i punës dhe krijimi i mundësive shtesë edhe për shumë studentë të tjerë në vitet në vijim.

Ndryshe, American Councils vepron edhe në Republikën e Kosovës dhe është organizatë ombrellë e disa programeve të studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbështetura nga Qeveria e SHBA-së. Në mesin e këtyre programeve është programi KAEF, përmes të cilit mbi 113 studentë kanë ndjekur studimet e tyre të masterit në Shtetet e Bashkuara përmes bursave të plota.