Bislimi thotë se kryetarët e komunave në veri kanë për obligim ta nisin punën menjëherë

Bislimi thotë se kryetarët e komunave në veri kanë për obligim ta nisin punën menjëherë

Aktuale May 26, 2023 - 16:46

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar në lidhje me situatën në veri, ku ka thënë se kryetarët e sapozgjedhur të komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit e kanë për obligim që të fillojnë punën menjëherë.

Ai ka thënë se edhe institucionet publike e kanë për obligim të sigurojnë kushtet që kjo të ndodhë, raporton Zeri.info.

Bislimi ka thënë se kryetarët e komunave në veri mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre nga ndërtesat komunale, sepse sipas tij ata janë zgjedhur me votë dhe mund ndalojnë punën e tyre vetëm nëse rrëzohen me votë.

“Një praktikë e tillë do të çonte shumë lehtë në situata absurde ku asnjë kryetar, në asnjë komunë nuk do të mund të ushtronte detyrat e marra.

Kryetarët e porsaemëruar i uroj për përgjegjësitë e reja dhe ua rikujtoj që janë aty për të promovuar interesat e secilit qytetar pa dallim të bindjeve politike, përkatësisë etnike, statusit social, moshës apo gjinisë”, shkroi ai në Facebook.

Bislimi ka ftuar qytetarët që t’u japing kohë kryetarëve të sapozgjedhur që të tregojnë dhe të realizojnë planet që kanë premtuar gjatë fushatës.

“Mekanizmat e sigurisë i ftoj që të bëjnë maksimumin për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe një ambient të qetë për të gjithë”, u shpreh ai ndër tjera. /Zëri