Kraki Escobarit e Lajçakut: Thyeni qafën se Kosova është në shtëpinë e saj!
Foto: Laura Hasani

Kraki Escobarit e Lajçakut: Thyeni qafën se Kosova është në shtëpinë e saj!

Aktuale June 08, 2023 - 10:03

Njohësi i çështjeve politike, Nezir Kraki, ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar në Kosovë pas tensioneve në veri dhe sanksioneve të paralajmëruara nga SHBA-ja nëse nuk merren veprime nga Qeveria e Kosovës në akordim me ndërkombëtarët.

Kraki, ndër të tjera, u shpreh se Kosova nuk është Sudan e as Libi që të sanksionohet, madje u shpreh se “Kosova është në shtëpinë e saj”, raporton Zeri.info.

Kraki është treguar i ashpër me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Kraki për Escobarin ka thënë se kërkesat e tij nuk janë amerikane, por serbe, madje duke e akuzuar se po përdor çështjen e Kosovës për sukses momental personal.

“Kosova është për zgjedhje te reja ne veri dhe qasje e Albinit është më proamerikane në afat të gjate sesa qasja e Escobarit, i cili është në kërkim të një suksesi personal momental. Nuk është me koha kur rrezohen e emërohen qeveri demokratike në zemër të Evropës. Nuk është Kosova Sudan e as Libi. Vjen si kauboj i Teksasit duke abuzu me fuqinë e Amerikës dhe me miqësinë që ne kemi me të”, shkroi ai ndër të tjera.

Ndërkaq për Lajçakun Kraki ka thënë se në asnjë moment nuk ka treguar respekt për Kosovën.

“Miroslav Lajçak nuk është Evropa. Kurrë s’ka qenë. Si ministër i Jashtëm i Sllovakisë në atë kohë, ky është pozicionuar kundër Evropës e kundër Amerikës duke e kundërshtuar me zell e me bindje pavarësinë e Kosovës. Kurrë, në asnjë moment ky person nuk ka shfaq asnjë fije respekti ndaj Kosovës apo pranimi qoftë edhe simbolik të shtetit tonë. Misioni i tij është evitimi i konfliktit, jo gjetja e zgjidhjeve afatgjata”, shkroi ai në reagimin e postuar në Facebook.

Po ashtu në reagimin e tij theksohet se kërcënimi i vetëm për konflikt në Ballkan është Serbia e jo Kosova dhe prandaj ai i jep të drejtë edhe kryeministrit Albin Kurti në raport me qëndrimet që ka për këtë situatë.

“E kërcënimi i vetëm për konflikt në Ballkan është Serbia, jo Kosova. Serbia e ka në kushtetutë Kosovën. A e ka përmend këtë gjë Escobari apo Lajçaku? Joooo! Atëherë, thënë qafen se Kosova është në shpine e vet dhe asnjë pretendim s’e ka mbi Serbinë apo tokën e saj. Është kollaj me arrit sukses diplomatik në ketë mënyrë, duke e kercënu e poshtëru viktimën, të dobëtin. Tani çoni lapolte ‘Albini po na pengon, duhet mi denu Kosovën se s’po pranon dhunim publik’”, është shprehur Kraki, ndër të tjera. /Zëri