“Pësuam mbi 90 viktima”, KFOR-i vendos një mesazh para protestuesve në Zveçan

“Pësuam mbi 90 viktima”, KFOR-i vendos një mesazh para protestuesve në Zveçan

Aktuale June 10, 2023 - 18:01

Një komandat i KFOR-it sot ka vendosur një mesazh para protestuesve në Zveçan.

“KFOR-i pësoi 90+ viktima në angazhimin tonë për të mbajtur një mjedis të sigurt e të qetë për të gjitha komunitetet”, shkruhej në pankartën që ai e vendosi para rrethojave të vendosura për protestuesit.

Serbët në Zveçan po protestojnë për të trembëdhjetën ditë radhazi. Sidoqoftë, sot u pa një numër i vogël i tyre që shumica janë ulur nën çadra.

Dje KFOR ka thirrur një konferencë për media ku foli për situatën në veri dhe rrezikun potencial për viktima.

Zëdhënësi i KFOR-it, Andrea Gallieni, deklaroi se trupat e KFOR-it në veri kanë parandaluar eskalim të situatës nga protesta e 29 majit sepse kishte rrezik për jetën dhe që dikush të vritej. Ai shtoi se gjatë protestës, shumë ushtarë janë lënduar nga gurët e gjuajtur, mjete shpërthyese të improvizuara dhe nga përdorimi i armës.

Sipas tij, ishte e qartë që kishte njerëz që donin të protestonin në mënyrë paqësore, por dhe që prapa tyre po fshiheshin grupe kriminale që donin t’i sulmonin trupat e KFOR-it.

“Në emër të komandantit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ne jemi të kënaqur me sjellën e kontingjentit sepse ndërhyrja e tyre ndërmjet palëve shmangi një problem të madh mes serbëve dhe shqiptarëve sepse aty mund të kishte probleme me rrezik për jetën e që dikush edhe të vritej”.