Krasniqi uron Ditën e Çlirimit të Prishtinës: 24 vite më parë Serbia u gjunjëzua
Foto: Laura Hasani

Krasniqi uron Ditën e Çlirimit të Prishtinës: 24 vite më parë Serbia u gjunjëzua

Aktuale June 11, 2023 - 14:28

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar qytetarët e Prishtinës me rastin e Ditës së Çlirimit.

Krasniqi ka thënë se 10, 11 dhe 12 qershori, Kosovën e ndërlidhin historikisht si asnjë datë tjetër.

“Betimi i burrave të kombit, me 10 qershor 1878, në Prizren, shndërrohet në amanet që do të përcillet brez pas brezi, për t’u përmbushur saktësisht 112 vite më vonë – në Prishtinë!. Me 10 qershor 1999 Serbia gjunjëzohet!. Me 11 qershor 1999 Prishtina çlirohet!. Me 12 qershor 1999 liria vjen në Kosovë!. 112 vite sakrificë, dhembje, luftë e përpjekje për liri – pa humbur asnjëherë fokusin nga qëllimi final – çlirimi dhe pavarësia e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka shtuar se sot nderojmë të gjithë luftëtarët, veprimtarët, intelektualët dhe martirët ndër breza, të cilët, u bën urë e dritë për këtë ditë.

“Nderojmë dëshmorët dhe martirët e Prishtinës! Sot, përulemi para vetëmohimit të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, posaçërisht dëshmorëve, të cilët besuan në idealin e luftës së tyre, edhe atëherë kur pak kush kishte më shpresa”, ka shkruar Krasniqi.

I pari i PDK-së, ka theksuar se është obligimi ynë, si shtet e popull, që duke kujtuar e nderuar të kaluarën, të ndërtojmë një vend të zhvilluar – ku secili mund të projektoj një të ardhme të dinjitetshme e prosperuese.