Kurti: Kosova qëndron prapa SHBA-së dhe BE-së, serbët të marrin pjesë në zgjedhje
Foto: Laura Hasani

Kurti: Kosova qëndron prapa SHBA-së dhe BE-së, serbët të marrin pjesë në zgjedhje

Aktuale June 11, 2023 - 15:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se Kosova qëndron pas vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe se situata në veri mund të qetësohet vetëm duke ndalur dhunën ndaj policisë, KFOR-it, gazetarëve dhe kryetarëve të komunave.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të intensifikojë dialogun për zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel dhe 18 marsit në Ohër.

“Kosova është prapa SHBA-së dhe BE-së në çdo kuptim të fjalës, në politikën anti-Putin dhe në vlerat demokratike. Është një aleat i pa kompromis. Rruga përpara për të de-përshkallëzuar situatën në veri do të thotë ndalim i menjëhershëm i dhunës nga grupet kriminale kundër policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve (veriorë). Në përputhje me situatën e sigurisë, largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policisë mund të zvogëlohej proporcionalisht”, deklaroi Kurti, raporton eo.

“Duhet të intensifikohet dialogu për zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit dhe 18 marsit. Ne kemi nevojë për një sekuencë të balancuar dhe të drejtë të marrëveshjes bazë”, tha Kurti.

Ai shtoi se deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore, kryetarët aktualë duhet të kryejnë detyrat e tyre dhe ftoi serbët që të marrin pjesë në to.

“Kryetarët e zgjedhur kanë marrë pak vota, ndërsa të tjerët nuk kanë marrë asnjë votë. Serbët duhet të shkojnë në zgjedhje, jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa grupe kriminale”, tha ai.