Qeveria e Maqedonisë së Veriut mund të mbetet pa parti shqiptare

Qeveria e Maqedonisë së Veriut mund të mbetet pa parti shqiptare

Aktuale June 11, 2023 - 19:01

Qeveria e zgjeruar LSDM-VMRO-DPMNE mund të mbetet pa asnjë parti shqiptare brenda saj.

Të gjitha subjektet politike shqiptare në Maqedoni të Veriut, opozitë dhe pushtet deklarojnë se nuk duan të jenë pjesë e një Qeverie të tillë.Fraksioni brenda BDI-së vlerëson se negociatat për Qeveri të zgjeruar janë tregti politike në të cilën ata nuk e shohin veten.

“Do të bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona për të ndihmuar këtë proces i cili është dobi prurës për të gjithë qytetarët dhe rruga e vetme për një stabilitet dhe mirëqenie të qëndrueshme. Për ne kanë pak rëndësi kombinimet dhe ekuacionet Qeveritare me negociatat e natyrës “tregtare” jep e merr e cila historikisht është dëshmuar që ka epilog humbës kushdo qoftë që e bën” , tha Izet Mexhiti, Fraksioni brenda BDI-së.Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në një prononcim për Alsat thotë se partia e tij do të jetë pjesë e Qeverisë vetëm pas zgjedhjeve parlamentare në të cilat subjekti i tij do të dalë fitues në kampin politik shqiptar.

“Lëvizja Besa nuk është pjesë e kalkulimeve për t’u bërë pjesë e çfarëdo lloj formati të Qeverisë para zgjedhjeve. Besa do të futet në Qeveri vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme si fituese e atyre zgjedhjeve te kampi politik shqiptar”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

Alternativa kërkon që si fillim të dëshmohet se ka numra për ndryshime kushtetuese dhe të plotësohen kërkesat e tyre për gjuhën dhe luftën kundër korrupsionit, duke shtuar se pak rëndësi ka pjesëmarrja në Qeverinë e formatit të zgjeruar.

“Për Alternativën më e rëndësishme se përbërjet Qeveritare është se a kalojnë ndryshimet kushtetuese, përfshi edhe propozimin tonë për sanksionimin kushtetues të luftës kundër korrupsionit dhe heqjen e eufemizmit ofendues 20% për gjuhën shqipe”, thonë nga Alternativa./Alsat. M