Kurti përkujton 25-vjetorin e zhdukjes në rrethana të pasqaruara të luftëtarit Behajdin Allaqi

Kurti përkujton 25-vjetorin e zhdukjes në rrethana të pasqaruara të luftëtarit Behajdin Allaqi

Aktuale June 11, 2023 - 22:58

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar aktivistin politik dhe luftëtarin Behajdin Allaqi.Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se këtë të diel janë bërë 25 vjet që kur ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Behajdin Allaqi u zhduk në rrethana të pasqaruara plotësisht.

Kurti ka theksuar se që nga atëherë nuk dihet saktësisht çfarë ka ndodhur me të, siç deri sot nuk është gjetur as trupi i tij.

“U bë një çerekshekulli prej kur është zhdukur Behajdin Allaqi, aktivisti politik dhe luftëtari i lirisë! Teksa shënojmë ditët e çlirimit të qyteteve tona dhe të vetë Kosovës në qershor të vitit 1999, sot janë bërë 25 vite nga dita e 11 qershorit 1998, kur ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Behajdin Allaqi u zhduk në rrethana të pasqaruara plotësisht”, ka shkruar Kurti.Shok në angazhimin e tij politik me figura të njohura si Afrim Zhitia, Fadil Vata e Ukshin Hoti, Behajdin Allaqi ishte anëtar i organizatës Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës.

“Si anëtarë i LPRK-së (LPK-së), Behajdini kishte marrë pjesë në mbledhjet dhe proceset e rëndësishme që themeluan dhe i dhanë formë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Për shkak të aktivitetit të tij patriotik, Behajdini u arrestua më 1 gusht 1993 nga autoritetet jugosllave dhe pas një procesi gjyqësor, më 11 nëntor, bashkë me katër shokë u dënua nga Gjykata e Qarkut në Prizren, me dy vjet e tre muaj burgosje, të cilat i vuajti në burgun e Dubravës.

I diplomuar për filozofi dhe sociologji në Universitetin e Prishtinës, Behajdin Allaqi e vazhdoi punën e tij si profesor në gjimnazin e Prizrenit deri më 1998, kur ky themelues i UÇK-së edhe e veshi uniformën e kësaj ushtrie popullore.“Në një periudhë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte në ngritje dhe strukturim e sipër dhe kur UÇK-ja kishte shumë nevojë për profilin e tij prej aktivisti me mendim të mirëformuar politik dhe prej luftëtari idealist e patriotik, Behajdin Allaqin e zhdukën duke e lënë përherë në mbërje jetën e tij prej çlirimtari”.

“Në kujtim të veprës së lavdishme të heroit të lirisë së Kosovës, Behajdin Allaqit”, përfundoi kreu i ekzekutivit.