Radojiçiqi i lidhur me sulmin ndaj policisë, thotë Sveçla

Radojiçiqi i lidhur me sulmin ndaj policisë, thotë Sveçla

Aktuale September 25, 2023 - 15:12

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet kanë gjetur harta dhe plane për sulmin ndaj policisë së Kosovës në veri më 24 shtator. Ai argumentoi se sulmi nuk ishte ad-hoc, por ishte planifikuar për muaj të tërë.

Këto deklarata ministri Sveçla i bërë gjatë një konference për media të hënën.

Sipas tij, në bazë të dokumenteve, nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – Millan Radojiçiq, është i lidhur me sulmin.

“Në këto materiale po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që, po ashtu, është në listën e zezë të SHBA-së, Millan Radojiçiq, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Millan Radojiçiqit, ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, tha Sveçla gjatë konferencës për media, ku policia ekspozoi armët dhe pajisjet që ka gjetur në vendin e ngjarjes.

Ai tha se në bazë të informatave, disa nga pjesëtarët e grupit që sulmuan policinë ishin pjesëtarë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile”, që Kosova i ka shpallur si organizata terroriste më herët gjatë vitit.