Bislimi në takim me shefin e UNDP-së në Kosovë, e falënderon për bashkëpunim të vazhdueshëm

Bislimi në takim me shefin e UNDP-së në Kosovë, e falënderon për bashkëpunim të vazhdueshëm

Aktuale September 28, 2023 - 13:05

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim shefin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, Nuno Queiros.

Bëhet e ditur se në këtë takim palët diskutuan mbi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit, ku Queiros ka shprehur vullnetin e gatishmërinë për mbështetje ndaj Qeverisë së Kosovës.

Bislimi, mes të tjerash, e vlerësoi kontributin kyç të misionit të UNDP-së në Kosovë dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe falënderoi shefin e UNDP në Kosovë Nuno Queiros për takimin, bisedën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Ai foli edhe mbi objektivat e programit qeveritar që janë punë dhe drejtësi, si plotësuese të njëra tjetrës, punën e zhvilluar në këtë drejtim dhe mbështetjen në përmbushje të objektivave të agjendës zhvillimore të Kosovës.

“Aspekt i rëndësishëm është dhe vëmendja e veçantë e Qeverisë në luftën kundër korrupsionit e reforma thelbësore sa i përket sistemit të drejtësisë. Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohje dhe për rolin e UNDP-së në fuqizimin e grave dhe mbështetjen e iniciativave. Po ashtu shprehu dhe interesin tonë në mbrojtjen e avancimin e të drejtave të të gjithë minoriteteve në Kosovë, pa dallim, si shtet multietnik e gjithëpërfshirës”, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër Queiros përmendi rëndësinë e investimit për trajnime sidomos për të rinjtë, bizneset e sipërmarrësit e rinj dhe rëndësinë e krijimit të mundësive për punësim, për të kapitalizuar maksimalisht dijen e përvojën e përfituar. /Zëri