Musliu ankohet për papastërtinë në Kuvend: Deputetët po sëmuren pas seancave
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën ka thënë se ky raport nxjerr në pah të meta të mëdha në punën e Kuvendit të Kosovës.
Musliu madje tha se pastërtia në Kuvendin e Kosovës nuk është në nivelin e duhur. Për pasojë ajo tha se shumica e deputetëve kanë probleme shëndetësore pas përfundimit të seancave.
“Fjalën time do ta filloj me Kuvendin, sepse mendoj që nuk mund të flasim për të tjerët kur brenda kësaj salle kemi shumë të meta dhe shumë probleme të cilat ceken edhe në Raportin e Progresit. Kuvendi i Kosovës karakterizohet me mungesë kuorumi, ani pse Qeveria mbështet në shumicë parlamentare. Kuvendi shpesh ka dështuar të votojë projektligje dhe të mbajë mbledhjet e komisioneve për shkak të mungesës së kuorumit dhe bojkotit edhe pse Qeveria vazhdon ta mbajë shumicën. Qytetarët e Republikës së Kosovës nëse nisen për Shqipëri në një udhëtim nuk e kanë të garantuar se mund të kthehen sepse veturat e Kuvendit janë të paservisuara. Mjafton t’ia hidhni një sy këtij tepihi këtu që nuk është ndërru prej që e ka renovu Behgjet Pacolli këtë sallë. Deputetët e Republikës së Kosovës punën e bëjnë në mesin e bakterieve dhe shumica prej tyre pas çdo seance kanë probleme shëndetësore. Nuk mund të kërkojmë ne transparencë nga Qeveria, përderisa nuk jemi transparent ndaj qytetarëve që na e kanë besu mandatin. Nuk ka ndodhur kurrë në histori të këtij Kuvendi të ketë më pak transparencë nga vetë Kuvendi. Për këtë jemi të gjithë përgjegjës, deri sot e kam akuzu vetëm kryetarin e Kuvendit si përgjegjës, por nga sot e them e them me përgjegjësi të plotë se fajin e kemi të gjithë ne sepse jemi shndërruar në deputetë dele që veprojmë në kor, mbrojmë të keqen në kor. Ndalimi i mikrofonit nuk është thjeshtë çështje teknike, është ndalim i fjalës së lirë, ndalim i vullnetit të lirë, ndalim i përfaqësimit të dinjitetshëm të atyre që na e besuan mandatin”, u shpreh Musliu në seancën e Kuvendit.