Statovci: Dhuna ndaj gruas gjithnjë e më shqetësuese
Foto: Laura Hasani

Statovci: Dhuna ndaj gruas gjithnjë e më shqetësuese

Aktuale December 04, 2023 - 23:15

Deputetja nga radhët e partisë Guxo, Jeta Statovci, ka thënë se dhuna në familje, e sidomos ndaj gruas, është dukuri që po bëhet gjithnjë e më shqetësuese.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Kosova ka përjetuar plagë të rënda dhe “nuk mund të lejojmë që këto plagë të rëndohen, tash kur  duhet të shfaqim energjinë tonë si shtet i ri”.

“Raste të natyrave e moshave të ndryshme por me një të përbashkët: dhunë në familje, e viktima është kryesisht gruaja. Kjo dukuri po bëhet gjithnjë e më shqetësuese pikërisht sepse është bërë dukuri. Po jetojmë në kohën e lirisë e të shtetit tonë demokratik por nuk po e gjejmë dot mënyrën se si ta lirojmë mendjen nga prirjet maskuliste, patriarkale. Pra, nuk po e hapim dot mendjen për të qenë shoqëri që beson në të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Dëmet e mëdha që i janë bërë për dekada, sistemit tonë të edukimit, duket se kanë lënë gjurmë të thella në dijen e ndërdijen sociale”, ka shkruar Statovci.

Sipas saj kërkohet punë e përkushtim i të gjithëve e me të gjitha mjetet për të shëruar këtë ‘defekt shoqëror’.

“Unë jam e bindur se tradita jonë si popull i vjetër, përkushtimi jonë i sinqertë e kurajoz, do të arrijë ta identifikojë e më pas ta luftojë dhunën në bazë gjinore. Kosova, ka përjetuar plagë të rënda dhe nuk mund të lejojmë që këto plagë të rëndohen, tash kur ne duhet të shfaqim energjinë tonë si shtet i ri”, ka shtuar ajo.